Rinovimi i Leo Messit me PSG mbetet i mbuluar me mister. Marrëveshja, e paralajmëruar nga palët para Kupës së Botës, nuk duket të jetë aq e afërt në realitet. Babai i kampionit argjentinas u takua me drejtuesit e PSG-së të mërkurën.
Një takim ballë për ballë që megjithatë nuk çoi në një marrëveshje përfundimtare. Asnjë formulë për rinovim, asnjë zgjatje e kontratës që skadon në qershor. Siç raporton “L’Equipe”, optimizmi i disa javëve më parë është zbehur.
Gazeta franceze thekson se Messi nuk po nxitohet, duke u përpjekur të kuptojë propozimin e vërtetë të Inter Miami, gati ta mbulojë me ar për ta marrë të luajë në MLS.
Ndërkohë, një udhëtim i Jorge Messit (babai i futbollistit që fitoi Botërorin e Katarit) po shkakton diskutime, duke ndezur thashethemet për të ardhmen e djalit të tij. Messi senior, pas takimit me drejtuesit e PSG-së, zbarkoi në Barcelonë. Arsyeja e udhëtimit të tij në Spanjë mbetet e mbuluar me mister.