Nga Elisa Dedja
Sot ka ardhur koha që femrat në këtë datë të protestojnë , për të drejtat e tyre, për zgjedhjet e tyre, për forcën e tyre , mbi të gjitha për unin e tyre. Duhet të protestojnë për të vendosur barazinë gjinore, për ti dhënë femrës vlerat që meriton. Ajo s’është skllave e askujt , është vetëm e vetes së saj.
Sot duhet ngritur zëri më shumë se kurrë se çdo kush duhet ta dojë veten e vet, fort. Do marr shëmbull jetën e mamasë sime , jam e bindur si ajo ka shumë të tjera ndaj duhet reflektuar që jeta është shumë e shkurtër dhe shumë e çmuar për të lejuar të tjerët, të vendosin për jetën e një femre. Në fund do kuptoni dhe pyetjen që qëndron në titull…
Mars 1964, lindi një vajzë e vogël e bukur dhe e brishtë. Lindi në një provincë dhe për këtë nuk ishte faji i saj .. Vitet ecnin shpejt dhe ajo u bë motra e madhe e 9 fëmijëve të tjerë. Përpos motrës iu desh të rritej para kohe dhe pas shkolle bënte rolin e mamit për ta dhe për nënën e saj. Kohët e vështira nuk ishin faktor ndihmues për të. Ndërthurja e traditave të kohës dhe mentalitetit nuk e lanë të ishte një fëmijë i zakonshëm i ditëve të sotme ..
Shkolla nuk ishte primare në fshatin e saj dhe pse dëshira nuk i mungonte … Përparësi kishte rritja e motrave dhe vëllezërve, punët, bagëtitë… Dhe kur të gjithë u rritën, vajzës së vogël i erdhi ora të martohej . Do thoni pse e kalove kaq shpejt, por kaq në fakt kishte , çdo gjë tjetër ja kishin rrëmbyer së bashku me dëshirat dhe pafajsinë e saj. U martua me dikë që e pa për herë të parë aty, pasi ishte vendosur dhëndri ..
Po po , alamet dhëndri , një regjisor i talentuar që jetonte në një vend bregdetar larg provincës së saj .. Tingëllon bukur deri këtu .. U nis të largohej ajo vajza e brishtë , flokët e gjata deri në brez , me onde që i ledhatonin qafën dhe ngjyra e gështenjtë që i nxirrte në pah sytë e shkruar .. Po ikte në një vend krejt të panjohur, pa ditur çfarë do e priste dhe me një të panjohur në krahë që asaj ia quanin “burrë”.
Në familjen e re gjeti sërish fëmijë që duheshin rritur, epo do thonin ja ka marrë dorën, le të vazhdonte.. Në atë familje gjeti 7 antarë që nusja e re duhej të kujdesej, pra, siç kanë qënë të gjitha nuset në atë kohë , të shërbenin… Por ajo ishte mësuar , këto gjëra për të ishin të kaluara… Por , zinxhiri i fatit të saj që në lindje nisi të lidhej edhe më fort … Ditën e njohjes me bashkëshortin nuk i kishin treguar edhe pse e dinin, të vërtetën më të madhe që mund ti kishte ndryshuar jetën ndoshta sot .. Nuk i treguan që edhe pse një njeri i nderuar , por profesioni e kishte dëmtuar dhe kishte një sëmundje të parikuperueshme siç është depresioni ….
Ai ishte në fazat e para dhe pafajësia e saj nuk arriti ta kuptonte çfarë kishte në të vërtet .. Ata sollën në jetë 3 vajza. Vitet ecnin , fëmijët rriteshin ndërsa sëmundja e bashkëshortit agravohej. Kishtr dhunë, stres, lot, dhimbje, gjithçka .. Në mes të gjithçkaje i duhej të punonte për fëmijët e saj duke lënë sërish veten e saj në plan të dytë, si atëherë kur iu desh të rriste motrat e vëllezërit. Shikonte sytë e fëmijëve të saj plot frikë dhe gjithmonë e gjente forcën ti jepte kurajo.
Nuk u dorëzua kurrë para asgjëje , as sëmundjes së saj në mitër, i mposhti gjithçka me forcën e një femre, gruaje, nëne, një heroine të vërtetë. Ajo nuk mund mundi të jetë femër, por si grua qëndroi stoike deri në fund. Edhe pse nuk mundi ta jetojë dot jetën bashkshortore nuk e la deri në frymarrjen e tij të fundit, kur një tjetër sëmundje e pashërueshme ia mori jetën. Edhe pse nuk mundi të jetë femër, e vetme ja doli dhe madje ka triumfuar të jetë nënë .. Sot ajo është e lumtur , gjyshe e 2 nipave dhe 2 mbesave dhe më në fund zinxhiri i fatit të saj u këput për të jetuar në paqe e plot dashuri .
Njëra ndër vajzat jam unë … Ndoshta s’do isha duke shkruar këto rreshta nëse nuk do kishte ndodhur ajo kurorë, por do preferoja të mos ekzistoja në krahasim me kalvarin e vuajtjes së nënës sime.