“Klasikja” e tretë radhazi në të gjithë kompeticionet dhe fitorja e tretë e Barcelonës.
Pas Superkupës së Spanjës, ndeshjes së vajtjes në Kupën e Mbretit, Barcelona ka mundur Realin 2-1 në La Liga të dielën në mbrëmje, duke i dhënë një goditje të fortë rivalëve të tyre në garën për titullin në Spanjë. Sipas gazetës “Mundo Deportivo” janë disa nga arsyet që çuan në humbjen e Realit, ku pa diskutim shterpësia në sulm e Madridit ishte vendimtare.
MUNGESA E GOLIT – Reali i Madridit tregoi në “Camp Nou” se i mungojnë golat. “Los blancos” bënë gjithsej 11 goditje nga të cilat vetëm tri ishin në kuadrat. Edhe goli i shënuar nga Reali në fakt ishte një autogol i shkaktuar nga Arauho.
BENZEMA, JASHTË FORME – Lidhur me mungesën e golit në “El Clasico” “shkaktar” nëse mund ta quajmë kështu është edhe Benzema. Francezi është shumë larg të qenit ai që ishte sezonin e kaluar, kur fitoi “Topin e Artë”. Ai po përpiqet, por po shfaqet shumë pak dhe kjo bie në sy te Reali.
SHPEJTËSIA E TOPIT – Reali i Madridit kishte shumë probleme për të nxjerrë topin nga mbrojtja në sulm, kjo për shkak të presingut të Barcelonës. Atij i mungonte shumë shpejtësia e topit për të dalë shpejt nga prapa dhe për të kapur Barcelonën në kundrakohë.
ZËVENDËSIMET – Reali i Madridit e përmirësoi ndjeshëm lojën e tij në pjesën e dytë kur Ançeloti bëri zëvendësime. Futja e Rodrigos, Asensios e Sebajosit i dhanë tjetër impuls. Ançeloti ndoshta u vonua më shumë se ç’duhej në kryerjen e zëvendësimeve dhe kjo iu bë e qartë edhe në konferencën për shtyp.
LODHJA – Disa lojtarë të Realit kanë “paguar” ndaj Barcelonës lodhjen e akumuluar në ndeshjen e së enjtes së kaluar kundër Liverpulit në Champions. Naço dhe Valverde, për shembull, u panë me më pak të freskët se zakonisht.
PA KRAH TË DJATHTË – Ançeloti e ka të qartë se sistemi i lojës së Madridit është ta bazojë ndeshjen në krahun e majtë, në zonën e Viniciusit. Kjo bën që skuadra e bardhë të lërë pas dore plotësisht krahun e djathtë. Kjo i mundësoi Baldes të shkonte në sulm shumë lehtë dhe të mos shqetësohej për mbrojtjen, sepse nuk kishte nga kush të ruhej.