Bayern Munich triumfon edhe në ndeshjen e kthimit ndaj PSG dhe siguron një biletë për në çerekfinale të Champions League. Skuadra e Nagelsmann, mbrëmjen e sotme fitoi 2-0 në “Allianz Arena”.

Ishte një duel i bukur, që në fakt do të dominohej nga ekipi i Galtier në pjesën e parë, por De Ligt në dy raste dhuroi spektakël duke shpëtuar ekipin e tij nga dy gola të sigurt. Në fillimin e pjesës së dytë, Bayerni do të shënonte me Choupo-Moting, por arbitri e anuloi për shkak të një pozicioni jashtë loje të Muller.

Gjithsesi goli nuk vonoi. Në minutën e 61-të, Verrati gabon rëndë duke i dhuruar një top skuadrës bavareze. Goretzka tregohet altruist brenda zonës duke i dhënë mundësinë Choupo-Moting që ta ketë të thjeshtë shënimin e golit. PSG më pas hasi shumë vështirësi për të krijuar raste shënimi, duke përjashtuar një pritje fantastik të Sommer ndaj Sergio Ramos.

Në fundin e kohë së rregullt, pas një kundërsulmi perfekt, Cancelo jep asist për Gnabry, i cili do të shënonte me të majtën.

Milan rikthehet në çerekfinalet e UEFA Champions League pas 11 vitesh dhe këtë e bënë përsëri ndaj një skuadre londineze, ndaj Tottenham, ashtu si në edicionin 2011-2012 ndaj Arsenal.

Në “Tottenham Hotspur Stadium” u zhvillua një ndeshje me shumë ritëm, volum dhe raste, por në fund pa gola dhe gjithçka u vulos nga ai gol i Diaz në Milano.

Pjesa e parë foli më shumë për të besuarit e Pioli-t, por mungesa e finalizimit bëri diferencën.

Në fraksionin e dytë, londinezët treguan më shumë dëshirë, por goli ishte një mision i pamundur, kjo edhe falë meritës së mbrojtjes “kuqezi”.

Në minutën e 77-të Romero la vendasit me dhjetë lojtarë dhe kjo ndikoi në fundin e sfidës.

Në fund, Milan siguron biletën për në çerekfinale duke u rikthyer pas shumë vitesh pritje, ndërsa Tottenham i Conte-s e mbyll këtu aventurën në Champions League.