Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi ka analizuar situatën politike në vend, përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Në një intervistë për emisionin “Frontline”, Topi deklaroi se mazhoranca është më e qetë, pasi vetë kryeministri Rama nuk do që t’i japë shumë konotacion politik këtyre zgjedhjeve.
Përsa i përket kampit blu, Topi e përshkruan si një situatë dramatike për shkak të përçarjes në dy grupime. Sipas tij, këto grupime në PD janë komod në “betejën” brenda llojit, por që nuk janë të gatshëm për përballjen me forcat e tjera politike.
Topi: Ne kemi diskutuar sëbashku rreth së ardhmes së PD-së të grupimeve, të mënyrës si do silleshin politikisht por edhe strukturalisht. Këtu sëbashku kemi diskutuar për një gjendje të mjeruar. Gjërat kanë ecur dhe kalimi i kohës nuk ka bërë gjhë tjetër vetëm se ka faktuar ose vërtetuar atë që kemi parashikuar. Të parashikosh në politikë duhet të jesh i ftohtë, neutral, nuk duhet të jesh në mënyrë absolute i pozicionuar siç është klima në parti, ku autocensura i bën ata që të kenë frikë të flasin me vete. Kjo është klima në partitë. Kjo është një situatë atipike, s’ka ndodhur. Partitë politike shkojnë drejt zgjedhjeve dhe siç e kemi parë, një palë është e qetë. Ka komoditetin për të ndarë se këto janë zgjedhje për pushtetin vendor.
Askush tek PS nuk do kishte guxuar të trazonte ujërat në këtë drejtim. Vetë klima në PS është e tillë që zoti Rama kontrollon gjithçka, kështu është në interesin e tij për të mos i dhënë konotacion politik por ta lërë në dorë të kandidatëve. Në kampin tjetër, këtu vijnë dhe bëhen më dramatike. Jo se do vdesë njeri nga situata e zgjedhjeve, sikurse mund të ndodhin në situata tensioni. Këta në përgjithësi do i quaja dallkaukë politikë. Janë të qartë në rrugën e tyre, s’kanë emocion.
Janë më komod në betejat brenda. Kjo betejë brenda bëhet më e theksuar kur vërejnë se beteja jashtë është shumë e vështirë. I ngjan fëmijëve të frustruar në rrugë dhe gjejnë momentin për t’u rebeluar në shtëpi dhe kur dalin në rrugë, ecin sipas rregullave në rrugë. Është e papëlqyeshme, politika perceptohet sikur bëhen vetëm në interes të atyre që bëjnë politikë. Zgjedhjet bëhen në mënyrë të alternuar çdo dy vjet, që individët të vihen në provë. Nuk është halli i qytetarëve në momente zgjedhjesh. Ata që janë në hallin e madh, janë qytetarët. Por ata sëbashku me politikanët i kanë ushqyer.
Kur vjen situata tek zgjedhjet, njerëzit zënë vendet e tyre sikur janë thirrur në ushtri. Politika e vitit 2023 është politika e vitit 1992. Ndryshe ishte koha atëherë. Asnjëherë nuk kam dëgjuar që njeri të bëjë skanerin e përbërjes së partive politike. Atëherë kishe njerëz intelektualë, nuk e mendonin karrierën politike për të mirën materiale. Kjo është arsyeja pse në partitë politike ti ke njerëz anonim. Ka një rregull që përbën një paradoks.