Nga Jakin Marena/
Situata në partinë më të madhe opozitare, që tashmë funksionon e ndarë në dy pjesë, është me të vërtetë tragji-komike dhe për këtë kanë kontribuar fort Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Nga njëra anë kemi PD zyrtare të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, i cili pasi fitoi në Gjykatën e Apelit të drejtën për të përdorur vulën dhe logon e partisë për t’u regjistruar në zgjedhjet e 14 majit me siglën e partisë më të madhe opozitare, refuzon të çojë një dokument të thjeshtë me firmën e ish kryetarit Lulzim Basha. Ndoshta dhe ka të drejtë. Duke qënë se ky grupim është shumë i dhënë pas teknikaliteteve juridike, nuk respektoi afatin 48 orësh të lënë nga kreu i KQZ Celibashi për të dërguar dokumentin garantues me firmën e Bashës për të regjistruar PDnë në zgjedhjet e 14 majit, i është drejtuar KAS për të fituar të drejtën dhe treguar se dokumentacioni i dërguar ka qënë i plotë. Pra Alibeaj ka vulën për të regjistruar partinë me siglën e PD dhe për të hyrë në zgjedhjet për pushtetin vendor si ‘zotni’ dhe pa dhimbje koke, ndërsa po ngurron që të regjistrohet, duke zgjedhur rrugën më të gjatë të mundshme që mund ta lërë dhe jashtë zgjedhjeve.
Dikush mund të thotë se ata s’janë për drejtues politikë partie, janë thjeshtë teknicienë që luajnë me ‘porta të vogla’, në katërkëndëshin e territorit të Tiranës, nëpër gjykata, dikush tjetër mund të thotë se duke qënë se s’kanë këllqe për të bërë fushatë elektorale, dhe janë të frikësuar se mund të ‘korrin’ një rezultat akoma më të rëndë se më 6 mars 2022, ndaj fshihen pas ‘teknikaliteteve’ për të tejkaluar afatet e regjistrimit në zgjedhje dhe për të mbetur jashtë tyre më 14 maj. Më pas mund ta përdorin si kauzë për të sulmuar qeverinë e Ramës se i la jashtë zgjedhjeve për të marrë sërish pushtetin vendor pa opozitën përballë. Me këtë rast mund të arrijnë që t’i japin fund dhe frustimit nga Berisha, i cili në të gjitha rastet i akuzon se janë një shtojcë e Ramës për të zhdukur opozitarizmin në Shqipëri. Pra një rrugë dhe dy punë. Se kanë menduar keq në fakt!
Megjithatë, KAS i ra shkurt sot, duke e rikthyer çështjen sërish në dorë të Ilirjan Celibashit, me argumentin se nuk mund të shqyrtojë e të vendosë mbi vendimin e ndërmjetëm të kreut të KQZ. Të martën, pikërisht në Ditën e Verës Celibashi merr vendimin përfundimtar për regjistrimin ose jo të PD zyrtare në zgjedhjet e 14 majit. Ndërsa për ankimimin e Berishës KAS as që e mori mundimin ta shpjegojë, e ktheu ‘fishek’ në KQZ. Ndonëse askush nuk e ka kuptuar Celibashin se përse e vendosi një kusht të tillë për të rikthyer Bashën e dorëhequr dhe firmosur një dokument rutinë, në politikën aktive si kryetar ‘mobile’ të PD, si dhe këmbënguljen e kreut të KQZ në këtë rast, fakti është se dhe vetë Alibeaj e kërkon me ngulm daljen jashtë zgjedhjeve të 14 majit. Ose së paku kërkon t’i luten që të futet në zgjedhje, ndonëse takimet me bazën për këtë grupim janë një bela më vete. Pra bën “harakiri’ me PD.
Ndërsa në anën tjetër kemi Sali Berishën të dëshpëruar për të hyrë në zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin vendor, me “Rithemlimin”, të cilin e kemi ritheksuar se është në të ‘zezë’, pasi nuk është regjistruar në asnjë prej institucioneve ligjore shqiptare që jep legjitimitet politik. Pasi humbi vulën në Apel, i cili zhbëri dhe vendimin e kohëve më parë të gjyqtarit Agron Zhkuri në gjykatën e Faktit, Berisha në njërën anë akuzoi Ramën dhe ambasadoren amerikane në Tiranë Yuri Kim se kishin bërë presion ndaj Apelit për të marrë një vendim në dizfavor të tij, nga ana tjetër nuk mungoi të vihej në kërkim të gjetjes së një ‘çatie” koalicioni apo partie për të regjistruar kandidatët për kryetar bashkie të zgjedhur nga “primaret” për garën e 14 majit.
Nëse në akuzat kundër Ramës dhe sidomos ndaj SHBA Berisha nuk ka zhgënjyer duke ia ka dalë me sukses të jetë në “lartësinë e detyrës” së tij, pasi ka shkuar deri atje sa të kërkojë nga kongresi amerikan e FBI të hetojnë veprimtarinë e ambasadores Yuri Kim në Shqipëri, që sipas tij i mori e vulën dhe logon e PD, në pjesën e krijimit të aleancave është zero fare. Të paktën deri më tani. Në fillim ishte kreu i Partisë Ilir Meta ai që e la në ‘baltë’ Berishën, teksa 2 ditë para se të merrej vendimi për vulën e PD në Apel, nxitoi të regjistronte partinë e tij në KQZ për zgjedhjet e 14 majit. Pra hyri e vetme në zgjedhje partia e Metës, ndonëse kishte një marrëveshje të shkruar koalicioni me “Rithemelimin” e Berishës, një grupim ky pa vulë dhe për pasojë firma s’pi ujë.
E paralajmëruam që në fillim të shkurtit “tradhëtinë” e radhës nga ana e Metës për Berishën, por që shumëkush nuk e besoi. Regjistrimi i Metës në zgjedhje vetëm si PL më vete e vertetoi këtë dhe përbën hapin e parë të distancimit të ish presidentit nga ish kryeministri demokrat. U munduan ta justifikojnë liderët Berisha e Meta këtë ‘tradhëti’, i pari nga zori se është në situatë të vështirë politike dhe i dyti po nga zori, sepse gjendet mes ortakut të tij politik dhe aleatit tonë të madh SHBA që e ka shpallur ‘non grata’ me të tëra Berishën. Por justifikimi deri më tani është shprehur në formën e takimeve në selinë buzë Lanës, të deklaratave se mbështesim kandidatët e “Rithemelimit” apo se opozita do të fitojë. Për t’i dhënë gajret vetes më shumë, me një fjalë.
Por pikërisht në ditën që zhvillohej dhe debati më i madh në KQZ për regjistrimin e dy PD-ve për zgjedhjet e 14 majit, Ilir Meta publikon listën e kandidatëve për këshilltarë në bashkinë e Tiranës. Në asnjë cep nuk ishte ndonjë emër i “Rithemelimit” duke treguar qartë se kreu i Partisë së Lirisë po ecën në rrugën e politikës së faktit të kryer. Duke iu imponuar Berishës, për t’i marrë të gjithë këshilltarët në kryeqytet, por dhe duke i lënë të vetmin shteg për të regjistruar kandidatët: Atë të siglës së PL. Dhe ky ‘shans’ për Berishën mund të jepet pas lutjesh të shumta, pasi deri më tani Meta ende nuk e ka ndarë mendjen për të marrë në kurriz një barrë të rëndë, atë të liderit “non grata’ të “Rithemelimit’. Ose do t’ia masë kokën me “spango” Berishës.
Berisha deklaroi pas politikës së ‘faktit të kryer’ të Metës se në zgjedhjet e 14 majit do të hyjë me koalicion të gjërë. Kishte në mendje PBDNJ të Vangjel Dules, PDK e Nard Ndokës dhe PR e Fatmir Mediut. Pasi PDIU e Shpëtim Idrizit, PAA e Agron Dukës dhe mbi të gjitha LZHK+BD përkatësisht të Dashamir Shehit dhe Astrit Patozit ia kishin lënë “targën” kohë më parë. Por me sa duket Berisha ka hasur vështirësi dhe me këto tre parti të vogla që kanë mbetur, ende të ‘pazëna’ për koalicion, pasi ka nota të forta refuzimi për të dalë bashkë me “Rithemelimin” në zgjedhjet e 14 majit.
I pari dhe dha sinjalin kreu i PR Fatmir Mediu, i cili shikon mundësinë e refuzimit të Berishës. Kështu, Partia Republikane tha se do të hyjë e vetme në zgjedhje me kandidatët e saj për anëtarë të këshillave bashkiakë në të 61 bashkitë, ndërsa nuk do të propozojë kandidatë për kryetarë.
Ky është qëndrimi i bërë publik nga kreu i kësaj partie Mediu. Ai ka deklaruar se do mbështesë kandidatët opozitarë për kryetarë, por pa specifikuar nëse bëhet fjalë për kandidatët që do të propozohen nga Berisha e Meta, apo ata nga Alibeaj. Pra Mediu iku.
Por me sa duket dhe demokristianët janë drejt daljes pa Berishën në zgjedhje. Si gjithnjë kryetari i PDK, Nard Ndoka e ka përcjellë gjithë situatën tek opozita me nota humori teksa ka komentuar situatën në të cilën ndodhet dhe PD. Ndoka shkruan se “PD do dale më e fortë, në këto zgjedhje, se ka dy kryetarë. Ditën e drejton Berisha, natën Alibasha!”. Ironi therëse që mes rreshtave tregon se nuk mund të dalë në koalicion me një parti, e cila është bërë ‘barcaletë’ e që i mungon serioziteti. Por dhe Dule, teksa ka marrë mbështetjen për kandidimin në tre bashkitë e jugut, ku pretendon se ka mbështetje, përfshirë Himarën këtu, ka dhënë sinjale që me marrëveshjen e nënshkruar se do të mbështesë kandidatët e “Rithemelimit” më 14 maj, e ka mbyllur shërbimin ndaj koalicionit, dhe sigla e PBDNJ nuk shërben për kandidatët e Berishës.
Pra Berishën po e refuzojnë të gjithë që të marrin përsipër kandidatët e dalë nga “primaret’ për garën e 14 majit, duke treguar qartë se është e vështirë marrja e një barre të tillë në kurriz, përballë izolimit të fortë që SHBA, Britania dhe BE i kanë bërë kreut të “Rithemelimit”. Teksa 16 Marsi është afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve të koalicioneve që mund të krijohen për zgjedhjet vendore, shanset që Berisha të arrijë të bindë PDK dhe PBDNJ për t’u bashkuar me “Rithemelimin” në një aleancë të vetme e për t’u regjistruar për zgjedhjet e 14 majit, janë thuajse afër zeros. Nuk përjashtohet mundësia që Ndoka dhe Dule të hyjë bashkë në koalicion pa Berishën, për të “gërryer’ sa më shumë nga votat e PD dhe për të nxjerrë ndonjë këshilltar dhe në zonat ku nuk kanë pretenduar asnjëherë dhe që kanë qënë “domen” i Berishës. Po çfarë do të bëhet me kandidatët e Berishës për kryetarë bashkie të dalë nga “primaret’ të cilët ka mbi një muaj që janë prezantuar e kanë nisur fushatën me takimet derë më derë me votuesit?
Dy janë mundësitë, ose të mbledhin firmat sipas ligjit secili kandidat për 61 bashkitë në vend për të dalë kandidatë të pavarur në zgjedhje, ose të futen nën ‘çatinë” e PL të Metës, i cili mund të vendosë ‘dorën në zemër’ e të marrë parasysh përballjen me aleatët tanë ndërkombëtarë dhe t’i regjistrojë në zgjedhje me siglën e Partisë së Lirisë. Pra të votohen si anëtarë të Metës. Për kandidatët e pavarur, koha po punon kundër Berishës, pasi data 26 mars është afati i fundit që subjektet politike të dorëzojnë emrat e kandidatëve për kryetar bashkie dhe listën shumë emërore për kandidatët e anëtarëve të këshillave bashkiak. Deri atëherë është vështirë që secili kandidat të mbledhë firmat e nevojshme për të hyrë në garën e 14 majit si të pavarur. Sepse kërkohet firmë për kandidatë për kryetarë bashkie por dhe për këshilltarë bashkiakë njëherësh. Eshtë problem vërtetë, pasi baza kërkon një kandidat të vetëm të PD përballë kandidatëve të Ramës, dhe refuzimet mund të jenë në seri, çka e rrezikon shumë Berishën.
Në rastin e regjistrimit nën siglën e PL të Metës, sërish Berisha do të jetë i dëmtuar në vota. Por do të rrezikojë fort dhe Metën. Ndaj për këtë arsye, Berisha ka vendosur të bëjë viktimën, që në të gjitha rastet ta paraqesë para mbështetësve të tij, se nuk e lanë të hyjë në zgjedhje Rama dhe SHBA. Madje për t’a ngritur akoma më shumë ‘stekën’ Berisha më shumë po e quan këtë si një betejë me SHBA për të garuar më 14 maj, se sa si një betejë me Ramën apo me “Alibashët”. Berisha kërkon t’i japë përmasa të mëdha ‘dramës’ së tij të mos-hyrjes në zgjedhje, pasi nuk po gjen dot një ‘sigël’ partie të lirë për të bërë koalicion, krerët e të cilave i largohen si “mortjes”.
Dhe për këtë arsye sulmon qeverinë amerikane, dhe në veçanti ambasadoren Yuri Kim, për të cilën siç nënvizuam, kërkon nga kongresi amerikan dhe FBI të hetojë veprimtarinë se saj në Shqipëri, përzierjen e saj në lojën politike shqiptare sipas tij. Tani, në këto momente kohore të limituara , do të shohim se si do rrjedhin ngjarjet me Berishën ‘non grata’ jo vetëm nga SHBA, Britania dhe vendet e BE që shohin si të tillë, por ‘non grata’ dhe nga aleatët e tij traditcionalë. Por një gjë është e sigurtë, Berisha e ka gjetur armikun në dizpozicion: Ai është SHBA e Yuri Kim. Sa për rezultatin në zgjedhjet vendore të 14 majit për opozitën, ai dihet. Kush e beson për t’i hedhur votën një opozite copë copë që mezi po regjistrohet thjeshtë e për të hyrë në garë, sepse nuk merren vesh me njërit tjetrin. Madje s’kanë pikë dëshire të hyjnë në garën elektorale.