Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka mbajtur një takim me simpatizantë demokratë në Vaun e Dejës të cilëve u bëri thirrje të votojnë për kandidatin Zef Hila në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha foli për gjendjen ku ndodhet vendi, duke deklaruar se sipas tij, personat me precedentë kriminalë ‘bëjnë ligjin’ në rrugë, kuvend dhe qeveri. Ai tha se siguria e qytetarëve është inekzistente po ashtu si ligji për këta të fundit të cilët sipas ish kryeministrit, duhet të presin deri në 15 vite për të marrë të drejtën e tyre në gjykatë.
Sot miqtë e mi, siç e shifni krimi godet kur të dojë, ku të dojë, në çdo fshat, në çdo qytet, në çdo rrugë në çdo shesh. Sot krimi vendos në rrugë, në parlament, në qeveri, në prokurime dhe në çdo gjë. Sot siguria e qytetarëve është inekzistente. Ligji për ju nuk ekziston, gjykatat sot nuk ekzistojnë, sepse secili qytetar shqiptar për të marrë një të drejtë në gjykatë, duhet të presë, 7-10-15 vite.
Kjo nuk quhet drejtësi në asnjë vend të botës. Sepse çdo qytetar shqiptar për të marrë një vendim, duhet të paguajë sa ‘frëngu pulën’ për të afruar vendimin e gjykimit. Sot në tërësinë e proceseve gjyqësore, 95% të proceseve mes qytetarëve dhe narko shtetit, i fiton shteti me padrejtësi absolute”- u shpreh kreu i Rithemelimit.
Berisha nuk la pa sulmuar edhe kandidatët e PS dhe PD për kreun e Bashkisë së Vaut të Dejës të cilët i cilësoi si kandidatë të Tom Doshit. Më tej duke iu referuar kandidimit të Klomentina Drinit nën siglën e PD-së, Berisha tha se është e pafalshme qëe një demokrat të bëhet patericë e pushtetit të Ramës.
“Dua t’u them kandidatëve të tjerë, të dy jeni kandidatë të Tom Doshit. PS ia ka dhënë Tomës kandidatin me koncesion. Është e pafalshme në një moment historic për vendin, moment kritik për demokracinë shqiptare që një demokrat të çojë ujë në mullirin e Edi Ramës dhe të bëhet patericë e atij regjimi që po shkatërron Shqipërinë çdo ditë”- tha Berisha. Në mbyllje të fjalës së tij Berisha u bëri thirrje qytetarëve të pranishëm që të mos mashtrohen nga personat që u ofrojnë para në këmbim të votës në 14 maj, duke argumentuar se gjatë 4 viteve, qeveria vetëm i injoron.