Në Spanjë vazhdojnë të jenë temë kryesore diskutimi pagesat e bëra nga Barcelona për 17 vjet me radhë për llogari të kompanisë së drejtuar nga ish-shefi i gjyqtarëve, Hoze Maria Enrikez Negreira.

Llogariten deri në 7 milionë euro të paguara nga klubi katalanas për të marrë informacion ose, siç pretendohet, favorizim, nga gjyqtarët gjatë afro dy dekadave. Ndërkohë, nga ana tjetër, mediat spanjolle vazhdojnë të nxjerrin fakte të tjera në lidhje me pagesat e bëra nga klubi katalanas. Ish-shefi i gjyqtarëve, Negreira, nuk i ka futur në xhep të gjitha paratë e marra nga Barcelona. Një pjesë të tyre ai i ka përdorur për t’u bërë dhurata të ndryshme gjyqtarëve, deri në luksoze.

Gazeta spanjolle “El Mundo” ka zbuluar listën e pafund të dhuratave që kompania “Dasnil”, në pronësi të ish-numrit dy të arbitrave spanjollë, i ka llogaritur si shpenzime të zbritshme. Informacioni i siguruar nga “El Mundo” zbulon se pjesa më e madhe e këtyre operacioneve të konsideruara të pazbritshme për autoritetet tatimore spanjolle ishin dhurata drejtuar gjyqtarëve në La Liga.

Dokumentacioni i Thesarit në të cilin ka pasur akses gazeta në fjalë zbulon se Negreira ka marrë nga produktet e tij për ushtrimin e profesionit, 1500 kartonë të kuq dhe të verdhë të personalizuar me mbajtësit e tyre përkatës ose qindra monedha gjatë hedhjes së shortit për përcaktimin e fushës si dhe artikuj të tjerë si proshuta për një shumë prej rreth 10,000 eurosh, bileta për ndeshje futbolli, çadra dhe çanta frigoriferike. Po kështu, ai bëri të njëjtën gjë me sende të tjera “tosterë, përgatitës sanduiçësh, batanije, pantallona apo lapsa me tregues lazer”.

Faturat zbulojnë se Negreira ka shfrytëzuar rastin për të ftuar gjyqtarët për të drekuar apo darkuar në restorantet e njohura të produkteve të detit në Madrid dhe Barcelonë, ku ka paguar fatura prej më shumë se 2000 eurosh për vakt. “Ëmbëlsirat, verërat, pijet alkoolike dhe djathi”, blerja me short në sasi të mëdha dhe ikja e fondeve për “ftesa të ndryshme” pa specifikuar, janë shënime të tjera që figurojnë në fatura.