Kombëtarja e Shqipërisë ka një rrugë të re, një tjetër qëllim të madh dhe një ëndërr tjetër të bukur për t’a përsëritur.
Faza kualifikuese për ‘Euro 2024’ po fillon dhe kuqezinjtë po kryejnë përgatitjet e fundit para ndeshjes hapëse ndaj Polonisë.
Një trajner i ri, një skuadër e mbushur me motiv, forcë dhe talent, kërkon që me ndihmën e tifozëve të ‘zjarrtë’ në tribuna, të përsëris suksesin e ‘Francë 2016’.
Udhëheqësi i kombëtares në suksesin e vitit 2016, trajneri Gianni De Biasi është prononcuar ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’ para këtij misioni të madh të Kombëtares ‘Kuq e Zi’.
Trajneri italian është i bindur që Shqipëria ka aftësinë dhe kualitetin që të kualifikohet në ‘Euro 2024’, madje beson se kuqezinjtë mund të përfundojnë edhe në vendin e parë.
“Dukës i kam thënë tashmë se Shqipëria mund të përfundojë e para në këtë grup. Është një skuadër e fortë që ka lojtarë që luajnë në ekipe të nivelit të lartë. Të gjithë e dimë se nuk do të jetë e lehtë, por e përsëris, Shqipëria ka shumë mundësi të mëdha për t’u kualifikuar përsëri në Kampionatin Evropian”, tha De Biasi.