Kombëtarja shqiptare zhvilloi dje seancën e fundit stërvitore zyrtare para ndeshjes me Poloninë, e zhvilluar në stadiumin “Naradovi” të Varshavës, ku do të luhet edhe ndeshja sot.
Në këtë takim, kuqezinjtë pritet që të luajnë me një skemë ndryshe nga 3-5-2-shi i Edi Rejës, teksa rreshtimi i ri do të jetë 4-3-3.
Në lidhje me titullarët, në portë i avantazhuar është Tomas Strakosha, kjo edhe për faktin se ai luan mirë topin poshtë dhe kjo është edhe një preferencë e trajnerit Silvinjo.
Në mbrojtje dilema e vetme është Mihaj apo Veseli, që njëri prej tyre do të shoqërojë Marash Kumbullën, ndërsa në krahë do të vendosen Ivan Balliu dhe Elseid Hysaj.
Në qendër të mesfushës do të vendoset Ylber Ramadani, ndërkohë përkrah tij Qazim Laçi dhe një mes Kristjan Asllanit dhe Amir Abrashit, i cili ka lënë pas gjendjen gripale.
Përpara Silvinjo pritet që t’i besojë nga minuta e parë Jasir Asanit në krahun e djathtë. Në qendër Sokol Cikalleshi dhe në krahun e majtë Myrto Uzuni, i cili ka lënë pas shqetësimet.
POLONIA Ndryshe nga ndeshja me Çekinë, trajneri Santos nuk ka të gatshëm mbrojtësin e djathtë Kesh, i cili u dëmtua dhe në vendin e tij pritet të luajë mbrojtësi i Romës, Nikola Zalevski.
Ndërkohë, në mesfushë mund të tërhiqet Zielinski, i cili me Çekinë luajti përpara me Levandovskin, teksa sulmuesin e Barçës do ta shoqërojë Damian Zimanski, që shënoi edhe golin e vetëm në Pragë.
Ndërkohë, me tërheqjen e Zielinskit, jashtë mbetet Karbovnik. Në portë është konfirmuar Shezni i Juventusit. Sa i përket mbrojtjes, trajneri portugez do të hedhë nga minuta e parë Frankovskin, Bednarek, Kivior të Arsenalit dhe Zalevskin.