Partizani mbylli dje pasdite përgatitjet për ndeshjen e sotme ndaj Vllaznisë, ku misioni është përmbysja e humbjes 3-1 në përballjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
I vetmi që ka pasur probleme fizike gjatë kësaj është jave është Bruno Telushi. Megjithatë, vlonjati është gati për këtë sfidë, pasi ka arritur të rikuperohet në kohë dhe të vendoset në dispozicion të trajnerit Kolela për këtë ndeshje.
Ky i fundit në sfidën e parë vendosi të bëjë një minirrotacion dhe e njëjta gjë me shumë mundësi do të ndodhë edhe ditën e sotme, pasi ngjeshja e kalendarit e ka vënë mjaft në vështirësi për shkak se lojtarët janë të ngarkuar fizikisht.
Skuadra ka misionin e vështirë për të përmbysur rezultatin, por Kolela pritet të mos hyjë “all in” dhe të aktivizojë të gjithë titullarët absolutë, pasi edhe në kampionat duhen ruajtur me patjetër balancat. Sot pritet të rikthehet nga minuta e parë Cara, teksa ndryshime priten edhe në mbrojtje.