Alvaro Morata do të kishte qëndruar me shumë qejf në Serinë A, nëse Juventusi do të kishte pasur arkat plot, në aventurën e tij të dytë në Torino (dy vite huazim prej 10 milionë eurosh), por ndërkohë Seria A duket se sërish pas dy sezonesh është gati që t’i japë një mundësi të re.

Fakti që sulmuesi madrilen po bën një sezon të mirë, por ndërkohë rinovimi nga ana e Atletikos nuk po vjen, në skenë kanë dalë sërish ekipe italiane që duan shërbimet e tij.

Juventusi nuk mungon asnjëherë nëse Alvaro ka hapësirë për të lëvizur dhe tashmë nuk kushton më 55 milionë euro, sa në verën e vitit 2020, por nga Spanja garantojnë se në krye të listës është Milani. Po, pikërisht “djalli” dhe Paolo Maldini kanë monitoruar Moratën në këtë sezon nga pranë dhe duan që ta bëjnë të tyrin, duke qenë se spanjolli ka ato cilësi që ata pretendonin nga blerja e Divok Origit, ndonëse deri tani belgu ka rezultuar një dështim total.Dhe mbi të gjitha, fakti që Zlatan Ibrahimoviç nuk jep shumë garanci për të ardhmen, aq sa nuk dihet nëse do t’i ofrohet rinovimi apo jo, 30-vjeçari shihet nga Maldini pyka që i duhet Milanit për sezonin e ardhshëm, për të luajtur gjithashtu edhe përkrah Zhirusë, në momente të ndryshme të sezonit.
Madje, nëse Juventusi dihet që ka kontakte të shpeshta me vetë lojtarin, kuqezinjtë kërkojnë që të bëjnë gjërat e rregullta dhe zyrtarisht kanë nisur që të flasin me klubin e Atletikos. Jo vetëm kaq, Maldini duket i bindur që ta mbyllë edhe shpejt këtë marrëveshje, nëse vetë Morata pranon për t’i dhënë dorën “djallit”, duke ofruar 20 milionë euro, para këto që do të shpenzoheshin gjithmonë, nëse Milani kualifikohet në Ligën e Kampioneve, për sezonin e ardhshëm.

Palët po flasin, në javët e muajt në vazhdim priten risi të rëndësishme.