Emiliano Martinez i është rikthyer sërish gjestit të tij në finalen e Kupës së Botës. Portieri dha një kontribut të madh në shpalljen e kombëtares së Argjentinës kampione bote në Katar 2022. Pas triumfit të paharrueshëm ndaj Francës, 30-vjeçari nuk i kurseu thumbimet dhe ironitë ndaj tifozëve francezë dhe yllit Kylian Mbappe. “E kisha me tifozët francezë, arroganca nuk funksionon me mua”.

Më pas edhe nervozizmi ndaj Aurelien Tchouameni përpara penalltisë. “Truku” dha efekt pozitiv, me mesfushorin e Realit që goditi jashtë. “Unë jam vërtet i fortë kur vjen puna te goditjet e penalltive, kundërshtarët më respektojnë.

E dija shumë mirë që Tchouameni ishte nervoz, ndaj ia largova edhe topin. Funksionoi, ai dështoi komplet tek goditja e tij”, deklaroi portieri i Aston Villa. Martinez u bë hero në vendlindje dhe shumë antipatik në Francë.

Së fundmi ka folur sërish, duke hequr fajin nga vetja. “Gjesti i gishtit të mesit në finalen e Botërorit? Nuk jam krenar për veprimin tim, sigurisht, por ishte një premtim. Shokët e skuadrës më sfiduan të bëja të njëjtin gjest që bëra në Kupën e Amerikës nëse do të shpallesha portieri më i mirë. E vetmja gjë që mendoja ishte të mos qaja”, kujton El Dibu Martinez.