Një dëshirë e madhe e Tiranës në repartin e avancuar është sulmuesi i Vllaznisë, Kaina Nunjesh. “Panorama Sport” mëson se ai ka kontratë deri në fund të sezonit me Vllazninë, por në verë do të dalë lojtar i lirë.
Futbollisti është një sulmues shumë i mirë, i cili këtë sezon është nënvlerësuar te Vllaznia, pasi në shumicën e rasteve ka qëndruar në stol. Sulmuesi ka shënuar tre gola në kampionat, teksa ka shënuar edhe tre gola të tjerë në Kupën e Shqipërisë. Në total me Vllazninë këtë sezon ka gjashtë gola, tri asiste dhe 1360 minuta lojë në 31 ndeshje mes kampionatit, Kupës dhe Superkupës. Vlera e tij në merkato është 250 mijë euro. Marrëveshja mund të arrihet, pasi menaxherët e Kainas kanë edhe tre futbollistë të tjerë te bardheblutë, ndërsa një tjetër e shitën në Azerbajxhan.
DËSHIRAT – Drejtuesit bardheblu e pëlqejnë shumë brazilianin, i cili ka luajtur si me shkodranët edhe me Kastriotin dhe nuk përjashtohet mundësia që t’i bëjnë një ofertë sulmuesit. Ata me shumë mundësi do të kontaktojnë me brazilianin në fund të kampionatit për ta bërë pjesë të skuadrës së tyre. Presidenti Halili e pëlqen shumë sulmuesin që mund të jetë qendra e bardhebluve. Në fakt, te Tirana kërkohen sulmues.
Me Patrikun që nuk bëhet deri në janar 2024, duhen të paktën dy qendërsulmues për sezonin e ri dhe Europën. Po kështu, Edmir Sali është një nga portierët më të mirë të Superiores. Edhe pse luan te Kastrioti, vlonjati ka rënë në sytë e shumë skuadrave të Superiores. Një nga ekipet që pëlqen shërbimet e portierit të Kastriotit është ekipi i Tiranës. Bardheblutë prej kohësh janë duke parë për një gardian. Së pari, për të zëvendësuar Visar Bekajn nëse ky i fundit largohet nga Tirana. Së dyti, Sali mund të jetë një shpatull shumë e fortë për Bekajn, nëse prishtinaliu nuk largohet në verë. Sipas asaj që është marrë vesh, drejtuesit e Tiranës kanë vlerësim për portierin vlonjat.