Sot Hakan Calhanoglu do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore për të kuptuar shkallën e dëmtimit, në ndeshjen e Turqisë kundër Kroacisë.
Në shtëpinë zikaltër nuk janë optimist dhe klubi shpreson që të jetë i gatshëm të paktën për ndeshjen e parë ndaj Benfikës në Champions League.
Ndaj Fiorentinës në fundjavë, Calhanoglu nuk do të jetë, por Brozovic po. Kroati do të sforcohet për të luajtur ndeshje të rëndësishme për zikaltërit pa kolegun e tij fantastik turk, por gjithashtu vëmendja shkon në stolin zikaltër.
Atje qëndron djaloshi tepër i talentuar i Shqipërisë, Kristjan Asllani. Mesfushori i kombëtares sonë nuk ka luajtur që në fillim të shkurtit me klubin e Interit dhe me sa duket, me dëmtimin e Calhanoglu, Asllani do të ketë më shumë mundësi që të zhvillojë minuta të konsiderueshme në fushën e lojës.
Në ndeshjen e parë të Shqipërisë për kualifikueset e Euro 2024 ndaj Polonisë, Asllani ishte truri dhe motori i mesfushës tonë. Edhe pse nuk ka luajtur shumë me Interin, Asllani konsiderohet si e ardhmja e klubit zikaltër dhe shumë presin që sezonin e ardhshëm ai të aktivizohet më shpesh.