Christophe Dugarry, kampioni bote dhe Evropës me Francën (1998, 2000), i cili gjatë gjithë karrierës së tij ka përfaqësuar klube si Bordeaux, Milan, Barcelona apo Marseille, ka bërë një deklaratë bombastike për dëmtimin e brazilianit Neymar, i cili do t’i nënshtrohet një operacioni dhe nuk do të luajë më këtë sezon.
“Jam i lumtur për PSG-në që Neymar u lëndua. Mendoj se është një mundësi e jashtëzakonshme për Galtier. Duhet të kishte pasur guximin ta largonte Neymarin, ishte zgjidhja e vetme. Ky ekip është shumë më i balancuar me pesë lojtarë në mbrojtje, tre mesfushorë dhe Mbappé-Messi në sulm.
Skuadra nuk është në gjendje të kontrollojë ndeshjet, sepse, kur humbet topin, tre sulmuesit nuk mbrojnë, ndaj u lejojnë kundërshtarëve shumë mundësi shënimi”, – ka shpjeguar për RMC Sport ish-sulmuesi i përfaqësueses së Francës, duke theksuar se ishte i lodhur nga braziliani:
“Nuk mund ta shoh më. Më duket i padurueshëm driblimi, qëndrimi i tij. Nuk dua ta shoh më në fushë. Më ka lodh.”