Shqipëria po krijon një hapësirë ​​kulturore historike për të kujtuar veprat heroike të qytetarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit, shkruan faqja e internetit .jewishnews.co.uk.

Muzeu “Besa” (fjalë nderi) në zemër të kryeqytetit Tiranë, do të vendoset në “Shtëpinë e Toptanëve”, një ndërtesë e cilësuar si monument i trashëgimisë kulturore.

Ministria e Kulturës ka nisur një konkurs të hapur të projektimit dhe mirëpret propozime të dizajnit arkitektonik, të cilat do të financohen nga filantropisti izraelit Alexander Machkevitch.

“Jam i nderuar që jam pjesë e këtij projekti të rëndësishëm i cili do të kujtojë guximin e shqiptarëve që rrezikuan jetën për të shpëtuar hebrenjtë gjatë holokaustit. Populli shqiptar dhe veçanërisht kryeministri Edi Rama kanë treguar angazhim të madh për ruajtjen e kujtimit të këtyre veprave heroike dhe është nder të punosh përkrah tyre. Ky projekt është një dëshmi e fuqisë së solidaritetit dhe dhembshurisë përballë errësirës dhe shpresoj se do të frymëzojë brezat e ardhshëm për të vazhduar këtë trashëgimi të mirësisë”, theksoi Machkevitch.

Qeveria shqiptare nga ana e saj shpreson që ”muzeu ‘Besa’ t’i hapë rrugën krijimit të një qendre që nderon historinë, traditën, kulturën dhe artin hebre”.

“Është një tjetër moment shumë i rëndësishëm në historinë, zhvillimin urban dhe arkitekturën e Tiranës dhe besoj se më në fund mund të marrim një frymë lehtësimi nga një barrë e gjatë detyrimesh në lidhje me fëmijët tanë dhe vizitorët. Ky muze lidhet ndoshta me faqen më të lavdishme të historisë shqiptare, shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Një prononcim mbi këtë vepër ka pasur edhe nga ministrja shqiptare e Kulturës, Elva Margariti e cila theksoi se “Shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është një nga faqet më të bukura në historinë e shqiptarëve. Të krishterët dhe myslimanët kanë sakrifikuar gjithçka për t’i mbrojtur ata. Për shqiptarët kjo është “besa”; është një vlerë që ne do t’ua përcjellim fëmijëve tanë duke u treguar atyre këtë histori të jashtëzakonshme. Muzeu Besa do të jetë urë komunikimi mes brezave; një hapësirë ​​për dialog për të ndarë vlerat më të mira të popujve tanë”.

Kujtojmë se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore se para saj.

Populli shqiptar refuzoi të dorëzonte një hebre të vetëm tek nazistët dhe shumë shqiptarë rrezikuan jetën e tyre për të mbrojtur hebrenjtë nga persekutimi.