Dikur një nga zonat më të harruara, ndërsa sot është kthyer në qendrën e agroturizmit, natyrës së virgjër e paprekur nga dora e njeriut dhe kërshëria e të huajve për të parë çdo cep të saj.
Kolonja është kthyer në një nga destinacionet më të kërkuara të fundjavës, për shkak edhe të asaj çka banorët dhe zona ofrojnë . Jeta e qetë, ushqimet BIO, njerëzit e veshur thjeshtë, bujtinat karakteristike të drurit, flladi që vjen nga Gramozi, rakia dhe vera e Leskovikut, rezervuari i Shelegurit, Rehova e mikpritjes, historia e Luarasit dhe fjalët e vërteta të kolonjarëve patriotë të përhershëm kanë nxjerrë në pah një turizëm që rrallë herë e shohim të ndodhë në vendin tonë.
Një tjetër vlerë e shtuar vitet e fundit është edhe infrastruktura, ku nga Korça sot mund të shkosh drejt Ersekës vetëm për 30 minuta. Edhe rruga drejt Leskovikut është duke u përmirësuar, duke premtuar një turizëm të përbashkët juglindor, e duke e lidhur me Përmetin e Gjirokastrën.
Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga institucioni i pushtetit lokal, ishin mbi 20.000 turistë që e vizituan Kolonjën gjatë vitit 2022 ndërkohë që ky numër kërkohet të dyfishohet gjatë vitit që po jetojmë, për shkak edhe të përmirësimit të kushteve të shërbimit të hoteleri – turizmit.