Enkelejd Alibeaj do të mbledhë këtë të Hënë Kryesinë e tij. Në mëngjesin e sotëm grupimi i Alibeajt, dorëzoi përmes përfaqësuesit të saj ligjor Indrit Sefa kërkesën në KQZ për regjistrimin e partisë në zgjedhjet lokale të 2023-it.
Në këtë shkresë, ishte dhe dokumenti ku Lulzim Basha në cilësinë e Kryetarit të Partisë Demokratike ka autorizuar Alibeajn për regjistrimin e kësaj force politike në zgjedhjet e 14 Majit.
I pyetur nga gazetarët se kush e drejton Kryesinë, duke qenë se Basha është ende kryetari ligjor i PD-së, Alibeaj tha se përgjigjien do e japë pas mbledhjes.
Pyetje: Kush e drejton kryesinë sepse pamë letrën që kryetari është Basha?
Enkelejd Alibeaj: Do ta merrni vesh në prononcimin që do të kem pas takimit të mbledhjes.
Ndërkohë sa i përket grupimit që mbështet Berishën mbrëmjen e djeshme pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar u depozitua kërkesa për t’u regjistruar për zgjedhjet. Aty u vendos që në zgjedhjet lokale të shkohet me koalicion. Kujtojmë që të Premten, Gjykata e Apelit vendosi që të kthejë për gjykim çështjen për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.