Ish-kryeministri Sali Berisha foli sot në aktivitetin për 60-vjetorin e Azem Hajdarit. Po sa real dhe i sinqertë është Sali Berisha në vlerësimin e Azem Hajdarit? Referuar arkivës së kohës, rezulton se, Azem Hajdari, deri ditën që mbylli sytë, nuk ka pasur kundërshtar më të egër dhe të përbetuar se sa Sali Berishën. Një foto e para shumë vitesh tregon një artikull të gazetës “Rilindja Demokratike”, ku shkruhej për kohën kur ish-kryeministri Sali Berisha kërkonte përjashtimin e Azem Hajdarit nga grupi parlamentar i PD. Berisha asokohe e konsideronte Azem Hajdarin si një nga rreziqet më kërcënuese për pozitat e tij në krye të Partisë Demokratike, që nga viti 1992 deri natën e 12 shtatorit, kur Azemi u vra, ngjarje të cilën Berisha e përdori për grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998.
Në 9 janar të vitit 1997, me urdhër të tij, kryesia e grupit parlamentar të PD, vendosi t’i propozonte Kryesisë së PD-së përjashtimin e Azem Hajdarit nga grupi i PD-së. Ky vendim erdhi pasi Azem Hajdari kishte nisur një valë kritikash ndaj qeverisë së Aleksandër Meksit, por pa atakuar Berishën si President. Me kauzën e mbrojtjes së sindikatave, Azemi synonte t’i diktonte Berishës rrëzimin e Meksit, për t’u dhënë një tjetër mesazh demokratëve për fuqinë e tij në PD. Por, Berisha nisi një sulm frontal ndaj Azemit, me gazetën Rilindja Demokratike dhe me akuza, pyetje shantazhuese dhe mesazhe të koduara. Berisha vuri në lëvizje edhe strukturat e PD-së.
Shumë shpejt Azem Hajdari u “ngri” si anëtar i Këshillit të Kombëtar të PD-së. Disa ditë më pas, Kryesia e PD-së përjashtoi Azemin nga grupi parlamentar. Në seancën e parë plenare të Kuvendit, të datës 20 janar 1997, Azem Hajdari, mbajti një fjalim mbi përjashtimin e tij. Hajdari theksoi se përjashtimi i tij është i paligjshëm, ndërsa shtoi se nuk është thirrur as në Këshillin Kombëtar të PD-së, as në kryesi dhe as në grupin parlamentar, siç e kërkon procedura.
Sali Berisha: Azem Hajdari shërbëtor i Ramiz Alisë dhe i sigurimsava, lidhje me krimin.
Sali Berisha zhvilloi edhe disa fushata sulmesh ndaj Azem Hajdarit. Dy vjet para eliminimit, Sali Berisha akuzoi Azem Hajdarin për lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit dhe si shërbëtor të Ramiz Alisë. Berisha e akuzon gjithashtu Berishën për lidhje me krimin dhe për implikim në vrasje. 23 vite pas këtyre akuzave, Sali Berisha, përmes Lulzim Bashës, përjashton vajzën e Azem Hajdarit nga partia. Ka ende njerëz që dyshojnë se Sali Berisha nuk e ka nxjerrë në pritë Azemin. Por, askush nuk mund të mohojë të vërtetën se, Berisha i ka bërë këtë akuza ndaj Azem Hajdarit, e ka përjashtuar dy herë nga PD dhe tani i përjashtoi të bijën.
Berisha në vitin 1996 për Azem Hajdarin: “Cili është dhe kujt i shërben në të vërtetë, Z. Azem Hajdari? Duke gjykuar mbi faktet e jo mbi fjalët kemi të drejtë të themi se kishim dy Azem. Ai i mitingjeve që bënte gjëmën, kurse ai në jetë që bëhej mik me Irakli Koçollarin, e sigurimsa të tjerë, dehej sa nuk e kontrollonte se ç’nxirrte nga xhepat. Deputeti Azem Hajdari hyri në grevën e urisë. Kureshtarët e shumtë, tifozët e politikës u gjendën të befasuar nga veprimet e zotit Hajdari dhe sollën versionet të ndryshme në shpjegimet e tyre, duke akuzuar më pas Azem Hajdarin për lidhje të shumta kriminale, lidhje me sigurimsat e shtetit, në shërbim të Ramiz Alisë e të tjera me radhë. Vendosi të ndërpresë grevën e mezeve dhe të rakisë: Në “kafenenë e Xhelës” thuhet se deputeti Hajdari, i përfolur nga shtypi dhe nga zëra të tjerë për problemin e vrasjeve dhe në prag të zgjedhjeve të 22 marsit, i futur në grevën e urisë, i armatosur, rast unikal në historinë e grevave të urisë, i braktisur nga të gjithë, i yshtur nga Çupi dhe Këndezi, i keqtrajtuar nga Kurt Kola, i rrethuar nga ish 80-lekshat (dhe ata janë të shumtë), vendosi të ndërpresë grevën e mezeve dhe të rakisë”.