Napoli po kalon një periudhë fantastike në kampionat, ku ka vënë të dy duart te titulli kampion dhe nga java në javë, pret ta fitojë edhe matematikisht trofeun.
Përveç kësaj, skuadra e Spallettit po shkëlqen edhe në Champions League, ku do të përballet me Milanin në çerekfinale, megjithatë në verë mund të përballet me një “eksod”. Disa prej yjeve të ekipit kanë përfunduar në radarët e klubeve më të mëdha europiane, teksa Kvaratskhelia e Osimhen janë më të kërkuarit mes napolitanëve.
Presidenti De Laurentiis ka mbyllur dyert për gjeorgjianin, por nuk mund të bëjë asgjë për Osimhen, pasi në verë ka nevojë për paratë që mund të vijnë nga merkatoja.
Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë nisur punën për të shituar fantazistin polak Piotr Zielinski dhe sulmuesin anësor meksikan, Hirving Lozano.
Vetëm në këtë mënyrë, Napoli mund t’i lejojë vetes të mbajë ende në “Maradona” edhe Kvaratskhelian, edhe Osimhen. Për Zielinskin interesohet West Ham, që mund të ofrojë 25-30 milionë euro për ta marrë në verë, teksa De Laurentiis nuk mund të refuzojë, pasi polaku ka kontratë deri në verën e 2024-ës.
Sa i përket Lozanos, Spalletti nuk e sheh si një titullar fiks dhe për meksikanin kanë shfaqur interes disa klube të Premier Leagues, ndaj për 20-25 milionë, mund të niset me destinacion Premier Leaguen.