Nga Raimond Kola
Një informacion në rrugë operative vuri në lëvizje në 11 janar 2023, policinë e Gjirokastrës. Informatori bënte me dije se një makinë me emigrantë nga Afganistani do të nisej në orën 22.00. Një orë e 15 minuta më vonë, pasi kishin ndjekur makinën të udhëtonte nga Saranda drejt Tepelenës, policia i bëri postbllok dhe arrestoi drejtuesin e mjetit Besmir Rr. dhe 3 emigrantë.
Sipas vendimit të Gjykatë së Gjirokastrës që caktoi masë sigurimi me burg për Besmir Rr., vetëm nga kqyrja e telefonave celularë dhe aplikacioneve të komunikimit policia arriti të dokumentonte një linjë trafiku qeniesh njerëzore, që i merrte emigrantët në kufirin me Greqinë dhe i transportonte drejt Malit të Zi kundrejt tarifave që shkonin deri në 250 euro për person.
Vendimi i gjykatës lë të kuptohet se linja ishte e rregullt. Kishte një stacion dhe një orar nisjeje dhe numrat celular të “taksistëve” kishin në imazhet e aplikacionit Whatsapp, tarifat dhe gjithçka duhej për tu orientuar.
Por megjithëse rasti është i përsëritur të dhënat e marra nga policitë kufitare në Korçë e në Gjirokastër dhe FRONTEX (Agjencisë Europiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare), tregojnë se numrat e emigrantëve të padokumentuar që përdorin Shqipërinë si transit janë në rënie.
Të dhënat zyrtare të policisë tregojnë se në janar në Korçë dhe në Gjirokastër u ndaluan më pak se 300 emigrantë. Në shkurt numrat ishin po ashtu të ulët rreth 150 persona në secilën prej zonave kufitare. Për autoritetet moti i ftohtë ishte një nga arsyet e rënies së numrit të emigrantëve në këto zona.
Por rënie të kalimeve të paligjshme në atë që quhet rruga e Ballkanit Perëndimor që përfshin edhe Shqipërinë, raporton edhe FRONTEX. Në raportin e saj për dy muajt e parë të këtij viti Agjencia Europiane të Kufirit dhe Rojes Bregdetare, thotë se kalimet në këtë rrugë ranë me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
FRONTEX ndërkohë bën me dije se numri i atyre që tentuan të kalonin Mesdheun me anija dhe varka u rrit ndjeshëm. Sipas raportit në këtë rrugë u identifikuan 11.951 kalime të emigrantëve të parregullt për periudhën Janar -shkurt të vitit 2023, me një rritje 118% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit edhe vitin që shkoi pati një rënie të fluksit të emigrantëve pa dokumente në Shqipëri. Policia e Korçës raportoi 6628 emigrantë të ndaluar prej saj, prej të cilëve gati gjysma ishin përsëritës. Numri sipas policisë është më shumë se përgjysmuar krahasuar me vitin 2021 kur në kufij u ndaluan mbi 13 mijë persona. Një situatë e ngjashme u paraqit edhe në Gjirokastër ku u regjistruan 2331 të huaj pa dokumente gjatë gjithë vitit 2022.
Në total dy policitë raportuan rreth 9 mijë kalime, bazuar në të dhënat e marra nga Policia e Shtetit ky është numri më i ulët i emigrantëve pa dokumente në 4 vitet e fundit dhe ka një rënie prej 50 për qind nga viti 2021 kur u kapën mbi 18 mijë emigrantë pa dokumente.