Polonia humbi dje 3-1 në transfertë me Republikën Çeke në ndeshjen e parë kualifikuese për grupin E të Euro 2024. Polakët tanimë e kanë nisur keq këtë fushatë, teksa të hënë në 27 mars presin në Varshavë, Shqipërinë. Tanët do kenë një mision jo të pamundur për të dalë me pikë, teksa ekipi i drejtuar nga Sylvinho është vlerësuar nga legjenda e futbollit polak dhe ish-presidenti i Federatës së Futbollit, Zbigniew Boniek.

Nëpërmjet kanaleve të komunikimit ka shpjeguar se për Poloninë vështirësohet gjithçka dhe duhet të tregojë të gjithë vlerat e saj në një ndeshje të vështirë ndaj kuqezinjve.

“Si mund ta marrësh veten nga kjo situatë? Duhet të fitosh (dhe nuk do të jetë e lehtë) të hënën. Duhet pak karakter dhe b*le. Kjo është koha e analizës. Tani “operacioni Shqipëria””, shkruan ai pas disfatës 3-1 të Polonisë ndaj Republikës Çeke.

Duket se përballja e së hënës në 20:45 nuk do jetë e lehtë për vendasit, me Sylvinhon dhe “Shqiponjat” kuqezi që do udhëtojnë në Varshavë me misionin e qartë për mos dalë pa pikë.