Nga Ylli Pata/

Trupa gjykuese e Apelit nuk mund të marrë vendim neser, sepse është nën presion. Ajo mund ta marrë atë vendim çdo ditë tjetër, por jo një ditë, kur një subjekt apo palë në proces ka vendosur të bëjë shantazh ndaj saj. Nëse në këtë vend do të kishte drejtësi realisht të pavarur, duhet të vendoste pikat mbi i mbi atë subjekt që tenton të minojë drejtësinë, duke nisur nga prokuroria, apo vetë gjykata. Madje vetë trupa gjykuese, ka të drejtë dhe mundësinë që nesër të japë një verdikt ku të shprehë se nuk mundet që dikush t’i bëjë presion gjykatës, pasi përbën vepër të pastër penale. Megjithatë, siç ndodh tek ne, ligji nuk është i barabartë për të gjithë, sidomos nuk është i barabartë për ata që ligjin e kanë si shkop për të goditur të tjerët, e jo për ta zbatuar.

Protesta e Sali Berishës nesër, përveç sulm ndaj gjykatës, është një agression kundër Partisë Deemokratike, është agression kundër opozitës. Për të cilën prej kohësh ka shpërthyer një kujë nga mjaft zëra në opinion, që e trajtojnë PD-në si një lloj hirusheje, e cila është e detyruar të lajë e gatuajë nën dhunën e njerkës e vajzave të saj, deri sa të gjejë atë princin e kaltër që ta puthë, e ta shpëtojë nga ai tmerr i përditshëm. Ka mjaft zëra, si Kreshnik Spahiu, apo edhe Blendi Kajsiu sot, që rreken të thonë se nuk ka asnjë mënyrë që PD-ja të ngadhënjejë politikisht, pasi përballë ka një PS-“përbindësh” që sido që të jetë nuk e lë të fitojë. Thellë thellë kjo tezë, është mjaft e ngjashme, edhe pse duket e ndryshme me “tre bandat” e Lubonjës, apo edhe me të tjera teza si ajo e Andi Bushatit, që këshillojnë vetëm kallashin si mjet politik për ndryshimin politik. Mjafton vetëm një shifër, votat e 25 prillit 2021 për të treguar se asnjëra nga këto teza fataliste nuk ka lidhje e nuk ka përse të ketë lidhje. E ardhur nga një traumë e gjatë, kaotike dhe skandaloze siç ishte trajektorja e dy mandateve për të marrë peng sistemin politik në 2017-n dhe 2019-n, gjithsesi opozita shqiptare grumbulloi një numër më të madh votash që nuk i kishte marrë prej kohësh.

Dhe këtë numër të madh, opozita i arriti me një politikë kaotike dhe një lidership totalisht të paorientuar, si dhe me dy nga viruset më infektivë që ja kalojnë edhe streptokokut e stafikolokut, siç janë Sali Berisha dhe Ilir Meta. Koncepti më i palogjikshëm dhe antidialektik është ai i hirushës që po tentohet të qaset kohët e fundit, vetëm e vetëm se sot PD dhe mjedisi opozitar shqiptar nuk po orientohet dot. Teza që hidhet nga Spahiu e Kajsiu se PD nuk fiton dot përballë PS edhe sikur të mos jetë Edi Rama, është e shtruar gabim. Pse nuk shtrohet teza se çfarë mund të ndodhëe me PD-në dhe opozitën në tërësi, nëse do të largohen Sali Berisha dhe Ilir Meta si pengmarrës realë të saj? Thjesht po të ndodhë kjo, do të lirohen aq energji sa mund të kemi një efekt tektonik i niveli të lartë, që mund të sjellë realisht zhvillime të paparashikuara jo vetëm në politikë, por edhe më gjerë.

Prezeneca e këtij lidershipi pengues dhe ndalues, ka çuar ndër vite që të largohen apo pengohen të gjithë faktorët që kanë qenë pjesë e opozitës, e ishin mjaft vibrues.
Mjafton të përmenden disa emra: Astrit Patozi, Dashamir Shehi, por edhe të tjerë. Astrit Patozi sa ishte në parlament ishte një orator i dorës së parë dhe i vetmi opozitar që i bënte të heshtnin çdo zë nga mazhoranca. Një fuqi politike që të paktën Ilir Metën e bllokoi në 2015-n që të marrë bashkinë e Vorës, për të cilën LSI lëshoi të gjithë fuqitë shtetërore. Largimi i Patozit në 2017 u bë nga Lulzim Basha mee pajtimin e plotë të Sali Berishës, i cili e pa atë si një emër që mund të konkurronte për lidershipin e PD-së, pas largimit nga jeta të Sokol Olldashit, i cili gjithashtu ishte një fuqi potenciale për lidership.

Sikur të largohet Berisha, në të gjitha bashkitë e vendit do të ketë një çlirim energjie ku mund të dalin emra e personazhe për të konkuruar në zgjedhjet e 14 majit, të cilët për 2 vjet mund të bëhen fytyra e re e opozitës shqiptare në zgjedhjet parlamentare. Një sinergji që mund të dridhë jo një mazhorancë por të ndikojë në procese politike krejt të reja. Procese që së pari do të përmbysin një kastë të vjetër politike, e këtë jo vetëm djathtas por edhe majtas. Shiko çndodh në Itali, me zgjedhjen e lideres së re të opozitës: Elly Shchlein: ka 3 ditë që një nga politikanët më influentë në vend, Matteo Salvini ndodhet në goditje të forta, sa sot po flitet për largimin e tij. Drama e sotme e PD-së dhe opozitës nuk ka as lidhje mee “organizimin Spartan” të PS-së apo me indeferentizmin e shoqërisë. i takon vetëm opozitës të ndryshojë dhe të sjellë energji dhe oferta të reja, madje edhe t’i sjellë me stil dhe cilësi të lartë. Por kjo ndodh thjesht kur të ndalojë Sali Berishën e Ilir Metën të flasë në emër të tyre. Ndaj nesër gjykata nuk mund të marrë një vendim, atë duhet ta marrin demokratët.