Mimoza Paja është banakierja e cila mbeti e vrarë mbrëmjen e së dielës në një lokal në zonën e “Don Boskos” në kryeqytet.

Hetuesit e Policisë së Tiranës kanë deklaruar se Paja dyshohet të jetë vrarë aksidentalisht nga breshëria e armës dhe të mos ketë asnjë lidhje me ngjarjen.

Fqinji i viktimës është shprehur se ajo punonte për të siguruar bukën e gojës si banakiere në lokalin që u bë shënjestër e atentatit.

“Hallexheshë, punonte për copën e bukës. Ka pasur vetëm një vajzë, djali i jetonte diku tjetër me qira. Jetonte vetëm me gocën e vogël. Ajo ishte punëtore mbi të gjitha”, u shpreh fqinji i saj.

Ndër të tjera, fqinji banesa e të cilit ndodhet afër me vendin e ngjarjes raporton se të shtënat janë dëgjuar edhe në famijen e tij, teksa shton se ju janë trembur fëmijët.

“Siguria është zero. Ne na janë trembur fëmijët mbrëmë. Me zor kemi vendosur fëmijët në gjumë mbrëmë.”

Lokali ku ndodhi atentati është në pronësi të Fatjon Muratit, një personazh i njohur i botës së krimit.