Në moshën 41-vjeçare, Zlatan Ibrahimovic u rikthye në kombëtaren e Suedisë.
Sulmuesi i Milanit, i cili fundjavën e kaluar u bë lojtari më i vjetër që ka shënuar ndonjëherë në Serinë A, nuk e fshehu dëshirën për të qenë i pranishëm në Euro 2024.
“Pësova një dëmtim shumë të rëndë dhe nuk kam qenë në kombëtare për 14 muaj. U ktheva, ndihem shumë mirë, sikur të isha babai i këtij ekipi. Ndiej vetëm gëzim, nuk kam dhimbje. Më pëlqen kjo dhe ndihem sikur mund të kontribuoj ende. Evropiani? Nuk doja të mendoja shumë përpara, kam pasur disa probleme, por nëse ndihem mirë fizikisht… Nuk jam këtu për bamirësi, jam këtu për të luajtur”, – theksoi sulmuesi me përvojë.
Nëse do të aktivizohet në këto duele nordike, Ibrahimovic do të jetë më i vjetri që ka luajtur ndonjëherë në një fazë kualifikuese për një kampionat evropian, duke thyer rekordin e Dino Xoffit, ish-portierit italian që luajti në kualifkuese kur ishte 40 vjeç e 90 ditë në vitin 1983. Suedia është shortuar në Grupin F me Belgjikën, Austrinë, Azerbajxhanin dhe Estoninë.