Në rubrikën “Komenti i ditës” në Dritare TV, gazetarja Rudina Xhunga komentoi për lajmin se do të ketë një lloj auditimi për pallatet e ndërtuara para 50 vjetësh. Gazetarja tregoi një histori personale, për të kuptuar se ku mund të shkojë keqkuptimi nga një histori e tillë dhe sa mund të ndikojë kjo histori së pari në zgjedhjet që janë shumë afër dhe pastaj në marrëdhënien e qytetareve me qeverinë apo opozitën, pasi gjithçka politizohet:
“Për pallatet e ndërtuara para 50 vitesh do ketë një lloj auditi, kontrolli nëse ajo ndërtesë mban, mund te rikonstruktohet ose nëse kostoja e rikonstruktimit është e lartë atëherë do prishet. Ky pak a shumë ishte lajmi krejt i pasqaruar që doli këto dite në media, i cili prodhoi shumë nënlajme të tjera. Unë do tregoj një histori personale për të kuptuar se ku mund të shkojë keqkuptimi nga një histori e tillë dhe sa mund të ndikojë kjo histori së pari në zgjedhjet që janë shumë afër dhe pastaj në marrëdhënien e qytetareve me qeverinë apo opozitën, pasi gjithçka politizohet.
Prindërit e mi kanë pasur një apartament të vjetër që i ka mbushur 50 vjet dhe aty po diskutohet mundësia që të ndërtohet një pallat i ri. Jo të gjithë janë dakord, shumë kanë pretendime. Dhe befas në media del ky lajm. Në pallatin e prindërve të mi vjen fjala; Do e firmosni apo doni t’jua prishë shteti dhe pastaj ku dihet ku ju çojnë!
Të kemi parasysh që aty ka njerëz në moshë dhe pothuaj në gjithë zonën e Tiranës së Re, një nga zonat më të lakmuara për ndërtim, është kjo situatë. Pra me të drejtë banorët e pasqaruar te pallati i prindërve të mi dhe të tjerë si ata, janë të frikësuar. Dhe ja ku del Berisha, t’i qetësojë, ta përdorë frikën dhe dyshimin e tyre duke gjetur një kauzë të gatshme: Do ju nxjerrin nga shtëpitë! Votoni këta qe do ju lënë pa shtëpi!
Dhe Berisha ka të drejtë, sepse hedhja në media e këtij lajmi, e pasqaruar dhe e paqartë dhe vetëm dy muaj larg zgjedhjeve lokale, është një autogol me kosto elektorale për mazhorancën qeverisëse. Duket sikur nismëtarët e auditit të pallateve të vjetra kanë një hendek shumë të madh njerëzor dhe financiar me pronarët e apartamenteve të vjetra. Bëhet fjalë për njerëz që kanë punuar gjithë jetën dhe tani pleqërojnë në pallate të vjetra. Atyre nuk u flitet kështu, ndonëse ua kanë votën në xhep. Sepse njerëzve kur u hyn në xhepa e në shtëpi, dihet çfarë mund të të ndodhë. Jemi sërish në mars, ndaj mos luani me fjalët!”