Nga Jakin Marena/
Këto dy ditë kanë qënë fatale për Sali Berishën dhe “Rithemelimin” e drejtuar prej tij, pasi është ‘vulosur’ përfundimisht fati politik për të marrë në dorë drejtimin e opozitës dhe për ta përdorur atë si një mburojë për hallin e tij personal. Një ditë më parë, aleati ynë i madh, SHBA tregoi qartë se nuk cedon aspak në vendimin e marrë dy vite më parë, sipas të cilit Berisha dhe familja e tij janë shpallur ‘non grata’ për korrupsion të lartë, minim të demokracisë dhe presion ndaj gjyqësorit në përgjithësi.
Takimet e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim me përfaqësuesit e tre partive më të mëdha në Shqipëri, përkatësisht të PS-së në pushtet me numrin dy të kësaj partie sekretarin e Përgjithshëm Damian Gjiknuri, Enkelejd Alibeajn si drejtues të PD zyrtare e Ilir Metën si kryetar i Partisë së Lirisë, tregoi vendosmërinë e qeverisë së SHBA për mbetur në mënyrë definitive në qëndrimin që Sali Berisha do jetë ‘non grata’ për sa kohë të ketë jetë biologjike, jo më politike. Yuri Kim duke takuar Enkelejd Alibeajn si përfaqësues zyrtar në krye të PD, përcolli sërish mesazhin e qeverisë amerikane se njeh dhe mbështet, si të gjitha partitë e tjera politike, vetëm grupimin zyrtar të dalë dhe nga vendimi i Apelit më 3 mars, i cili zhbëri vendimin e gjyqtarit të shkallës së Bujar Zhukri, dhe ia kaloi vulën dhe logon e partisë përfundimisht Alibeajt.
Kjo ishte një goditje e fortë për Sali Berishën, i cili dha sinjale të forta se nuk do të pajtohet me këtë vendim, teksa ushtroi presion të fortë ndaj gjyqtarëve që vendosën për vulën, duke i kërcënuar dhe me vetëgjyqësi ata dhe familjarët e tyre, si dhe ushtroi sërish presion mbi KQZ-në që të regjistronte “Rithemelimin” për zgjedhjet e 14 majit, duke paraqitur artifica të stërpërdorura tashmë, si “vendimi i Apelit nuk ka qënë i formës së prerë” ndonëse Apeli nuk jep asnjë vendim të një lloji tjetër, apo duke këmbëngulur në faktin se Lulzim Basha nuk është më kryetar i PD dhe vetëm fiktivisht rezulton si i tillë në gjykatë, pasi ka dhënë dorëheqjen para një viti. Ka përdorur dhe argumente të tjera, më shumë në nivelin e këmbënguljes së një të dëshpëruari, të cilat u paraqiten dhe sot në KQZ, në përpjekje për të regjistruar “Rithemelimin” e lënë grupimin zyrtar të PD, të kryesuar nga Alibeaj, jashtë zgjedhjeve të 14 majit.
Teksa i ka dëgjuar të dyja palët, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi, përtej bindjes së tij së kryetari real në shumicën e PD është Sali Berisha, ka deklaruar se ai i referohet vetëm dokumenteve zyrtare, gjykatës me një fjalë, ku kryetar i PD figuron Lulzim Basha. Pasi ka dhënë në parim dakordësinë për regjistrimin e PD-së të drejtuar nga Alibeaj, për shkak se kryetari ka dhënë dorëheqjen dhe në gjykatë s’është paraqitur emër i ri kryetar që do të pasonte Bashën, Celibashi ka lënë 48 orë afat për këtë grupim që përfaqëson PD-në zyrtare që të sjellë kërkesën dhe dokumentet për regjistrim të PD në zgjedhje, të firmosura vetëm nga Basha.
Kjo i ka mbyllur të gjitha diskutimet, por ka hapur edhe më tej plagën e PD dhe në veçanti të grupimit të “Rithemelimit” të drejtuar nga Berisha, i cili nga sot, është tërësisht në dorë të Metës ose të Ndokës, Dules dhe Mediut për të regjistruar kandidatët për kryetarë bashkie të dalë përmes “primareve” në zgjedhje, nën singlën e këtyre partive politike respektive sipas rastit. Ndërkohë që dhe kandidatët për këshilltarë bashkiakë do të regjistrohen sipas kësaj formule, theksojmë se deri më tani Berisha s’ka zgjedhur asnjë për asnjë nga 61 bashkitë ku do votohet më 14 maj për pushtetin vendor, duke e zhytur akoma më keq në kaos “Rithemelimin”.
Pasi logoja e këtij grupimi politik të drejtuar nga Berisha, duke qënë se nuk është i regjistruar në asnjë prej organeve kompetente, pra as në Gjykatën e Tiranës, nuk mund të përdoret në logon e koalicionit që mund të krijohet, e për pasojë dhe emrat e “Rithemelimit” për këshillin bashkiak do të “interferohen” brenda siglës së partisë politike në emër të së cilës do të regjistrohet si koalicion, për të futur në garë kandidatët për kryetarë bashkie. E thënë me pak fjalë Berisha jo vetëm që do ketë kandidatë për kryetarë bashkie të paidentifikuar si përfaqësues të “Rithemelimit”, të PD-së jo e jo, por nën emrin e siglës së koalicionit apo të partisë nën “flamurin’ e së cilës do të hyjë në zgjedhje më 14 maj, por dhe këshilltarët bashkiakë do të futen në garë më 14 maj sipas një ‘kursi’ të tillë. Ky është rrënim për Berishën e grupimin e tij.
Por që të kthehemi te takimet e ambasadores së SHBA me 3 përfaqësuesit e partive më të mëdha politike në vend, ku ka diskutuar me ta respektimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, që kanë të bëjnë me rregullsinë, ndershmërinë dhe transparencën e zgjedhjeve, ajo që bie në sy është izolimi i thellë që i është bërë Berishës nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Një ditë më parë Berisha u ‘karantinua’ në mënyrë përfundimtare, dhe për pasojë nuk është lënë asnjë rrugë shpëtimi e shprese dhe për pasuesit e tij, që për sa kohë ndjekin pas një person ‘non grata’ nga SHBA, Britania dhe me shumë gjasa dhe me vendim zyrtar nga të gjitha vendet e BE, nuk do të ketë asnjë mbështetje nga aleatët tanë të mëdhenj.
Nuk është vetëm refuzimi i takimit me përfaqësuesit e Berishës për zgjedhjet e 14 majit nga ana e ambasadores Yuri Kim, ai që tregoi qartë se “Rithemelimi” sa kohë do drejtohet nga Berisha nuk konsiderohet nga SHBA si faktor relevant politik për zgjedhjet për pushtetin vendor. Ka qënë i rëndësishëm dhe mesazhi që përcolli ambasadorja amerikane në Tiranë për të gjitha partitë politike, në lidhje me pastërtinë e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe këshilltarë, të cilët për të qënë pjesë e garës, duhet të kenë kredeciale të pakontestueshme. Konfermë që e mori Yuri Kim dje nga 3 përfaqësuesit politikë, gjatë takimit të zhvilluar me secilin prej tyre.
“Drejtuesit e partive konfirmuan gjithashtu se do të shqyrtojnë kandidatët përkatës për t’u siguruar që ata përmbushin kërkesat e ligjit si dhe pritshmëritë e votuesve shqiptarë për kandidatë të pastër”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë, në përmbledhje të takimeve të Yuri Kim me përfaqësuesit e tre partive më të mëdha politike në vend.
Mesazhi është i qartë. Kandidatët për për kryetarë bashkie dhe këshilltarë bashkiakë duhet të kenë një figurë të pastër, dhe kjo arrihet kur është e pastër tërë hierarkia partiake. Sepse një kandidat nuk mund të jetë i përzgjedhur sipas parametrave ligjore dhe me figurë të pastër, nga një drejtues partie, që vetë figuron i shpallur ‘non grata’ familjarisht nga SHBA, Britania dhe kosiderohet i tillë deri në këto momente, nga vendet anëtare të BE dhe vendet e rajonit, për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë. E thjeshtësuar më shumë ky argument, ajo që mund të themi është se mesazhi i SHBA i lexuar mes rreshtave është: për sa kohë “Rithemelimi” drejtohet nga një person ‘non grata’ si Berisha, s’mund të mendohet se mund të përzgjedhë e prezantojë para shqiptarëve për t’i votuar kandidatë sipas parametrave që kërkon një vend demokratik dhe mbi të gjitha, që meritojnë shqiptarët.
Kjo na bën të mendojmë se ky mesazh i qeverisë amerikane përmes ambasadores Yuri Kim, nuk ka qënë i drejtuar vetëm tek Berisha, si ‘non grata’ i madh në këtë moment, por dhe në drejtim të aleatit të tij Ilir Meta, nën siglën e të cilit Berisha mendon se do të fusë në garë kandidatët e tij për kryetarë bashkie dhe për këshilltarë bashkiakë për zgjedhjet e 14 majit. Por dhe në drejtim të Dules, Ndokës e Mediut, të cilët ndonëse drejtojnë parti pa peshë politike në vend, nuk është se ‘përjashtohen’ nga nocioni për të hyrë në zgjedhje me kandidatë të pastër. Nuk dimë nëse ia ka thënë këtë mesazh në mënyrë të drejtëpërdrejtë Yuri Kim vetë kryetarit të PL Ilir Meta në takimin e zhvilluar në selinë e kësja partie, ka qënë takim i gjatë për hir të së vërtetës. Por dhe nëse lexon deklaratën e dhënë nga ambasada, është e kuptueshme që mesazhi ka qënë dhe për ish presidentin që drejton këtë parti, për të mos pasur nën siglën e Partisë së Lirisë, emra që nuk përmbushin kërkesat e ligjit si dhe pritshmëritë e votuesve shqiptarë për kandidatë të pastër. Dhe kush dëshiron të lexojë këtë mesazh, qoftë dhe të “koduar”, e lexon dhe e respekton.
Ilir Meta ia doli të jetë faktor politik, të ketë rezervimin për takime me ambasadorët e SHBA por dhe vendeve europiane për zgjedhjet por dhe për situatën politike në vend. Dhe kjo nuk është pak për të, pas gjithë atyre përplasjeve që ka pasur ish presidenti me ambasadorët amerikanë në Shqipëri dhe deklaratave të ashpra kundër tyre, sidomos ndaj Yuri Kim. Meta ia doli që të jetë një faktor relevant politik në Shqipëri në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, përkrah partisë në pushtet PS dhe partisë më të madhe opozitare zyrtare të kryesuar aktualisht nga Enkelejd Alibeaj. Tani është para dilemës, të sikterisë Berishën e të mos pranojë kandidatët e tij që të garojnë nën siglën e PL më 14 maj, duke humbur mundësinë që ta “gërryejë” nga brenda “Rithemelimin” përsa i përket votave për këshilltarë bashkiakë, apo të qëndrojë përballë SHBA duke mos e marrë parasysh mesazhin që të mos përzihet me Berishën, dhe të përfitojë disa vota më tepër por që të humbasë vëmendjen e qeverisë amerikane dhe të kalojë në ‘izolim’ të thellë, sikurse aleati i tij ish kryeministri Berisha.
Zgjedhja është në dorën e Metës, i cili si një manovrator politik e ka bërë hapin e parë, pak ditë më parë, teksa ka regjistruar më vete në KQZ Partinë e Lirisë, për zgjedhjet e 14 majit për pushtetin vendor. Tani i duhet hapi i dytë, ai i distancimit faktik nga Berisha këtë herë. Eshtë në dorën e tij. E kam thënë dhe më parë, Meta ka gjasa që ta refuzojë Berishën, duke mos e lejuar që të fusë në garë kandidatët e “primareve’ për kryetar bashkie nën siglën e PL që drejton. Kjo vërtetë do t’i humbasë disa vota apo dhe këshilltarë, por ama do të garantonte vijueshmërinë e të qenit faktor politik në sytë e SHBA, BE dhe vendeve të tjera demokratike. Dhe kjo s’është pak për mbijetesën politike të Ilir Metës dhe partisë së tij, në jetën politike të vendit. Sepse parti e parë politike që të marrë përsipër drejtimin e vendit, PL e ka të pamundur të bëhet në këtë jetë.
Dhe pas këtij mesazhi nga SHBA për “Rithemelimin” dhe me shuma gjasa dhe për Ilir Metën, Berishës i mbetet të hyjë në garë me kandidatët e tij, vetëm nën siglën e një koalicioni me ndonjërën nga partitë e djathta si dhe përfaqësuesen e pakicës greke në Shqipëri, përkatësisht PDK, PBDNJ ose PR. Nëse pranojnë Ndoka, Dule e Mediu, kuptohet. Pasi njëri prej tyre, Mediu është në hall për vete. Dhe në fund të herës, opozita me një Berishë të ‘karantinuar’ dhe izoluar thellë nga ana e SHBA dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, me një Ilir Metë në dilemë dhe nën presion që të refuzojë apo të mbajë koalicionin me kreun e “Rithemelimit”, por dhe me një PD të drejtuar nga Alibeaj të asfiksuar dhe pa mbështetje në elektorat, opozita shqiptare është në një krizë të thellë dhe pa shpëtim. Nuk flasim për të pretenduar pushtet, por për mbijetesën politike apo mos-shuarjen e saj.