Mediat greke kanë publikuar historinë interesante të një studenteje, e cila i shpëtoi mrekullisht aksidentit tragjik të trenave në Larisa.
Studentja Agni Titeli, kishte një biletë në vagonin e tretë të trenit, por ishte shoqja e saj e cila i kërkoi të udhëtonin së bashku në vagonin e fundit, pasi kishte një parandjenjë të keqe.
“Zakonisht ulem përpara dhe për herë të parë u ula në fund. Ndihem jashtëzakonisht me fat. Është fati që bëri të shpëtonin të gjithë të mbijetuarit, nuk e shpjegoj dot ndryshe”, tha vajza.
Ajo rrëfen se pas përplasjes së fuqishme, mundi të dilte nga treni dhe pa që vagonat e parë kishin shpërthyer në flakë.
“Nuk mund ta imagjinoj se çfarë kanë kaluar ato që ishin në vagonin e parë. Më në fund treni ndaloi, panik, tym, edhe në vagonin e shtatë kishte tym, mbante erë djegie dhe të gjithë na bërtisnin të dilnim” , shton ajo.
Gjithashtu ajo shtoi: “Kur dola isha në një tunel, dera u hap dhe dola nga paniku, na trembën sepse na tregonin për rrezikun e një shpërthimi. Unë dal jashtë, e nxirë, nuk e kisha idenë se çfarë kishte ndodhur, thjesht menduam se treni kishte dalë nga shinat.
Nuk mund t’i përshkruaj britmat e njerëzve, bërtisnin se po digjen, shkova atje pashë shumë zjarr, na thoshin të largoheshim dhe unë u largova nga ana tjetër. “Policia erdhi menjëherë, shumë shpejt, pastaj zjarrfikësja dhe ambulanca, u nisëm me autobusë në orën 2. Mendova se mund të vdisja, mora babin, pata sulme paniku. Nuk kam fjalë për djemtë që na ndihmuan”, tha ajo.
E reja shtoi se nga traumat që kishte pësuar ka frikë të rrijë vetëm dhe nuk e di nëse do të mund të udhëtojë më me tren.