Kombëtarja shqiptare e futbollit luan në 27 mars ndeshjen e parë kualifikuese për Europianin 2024. Në 20:45 kuqezinjtë përballen me Poloninë në transfertë,ndeshje e vlefshme për grupin E kualifikues. Përballja do jetë edhe debutimi i trajnerit Sylvinho te kuqezinjtë.
Braziliani në konferencën e parë para grumbullimit tregoi se kërkon të luajë në sulm, teksa nga futbollistët e thirrur skema më e preferuar mund të jetë 4-2-3-1, e ndryshueshme gjatë aksioneve mbrojtëse.
Në portë pritet të jetë Berisha, mbrojtja do i besohet Hysajt dhe Balliut nga krahët, teksa Kumbulla e ka vendin të sigurt në prapavijë. Veseli dhe Mihaj janë në balotazh për një vend në qendër të mbrojtjes, kjo pas mungesave të Gjimshitit dhe Ismajlit për shkak të dëmtimeve.
Mesi i fushës me dy duket se do i takojë Asllanit dhe Abrashit, ndërsa në mbështetje të Cikalleshit treshja Jasir Asani, Bajrami dhe Uzuni. Nisur nga forma e mirë e futbollistëve, ky pritet të jetë edhe formacioni më i mundshëm, me ekipin që ka zhvilluar vetëm një seancë stërvitore.
Formacioni i mundshëm:
Shqipëria (4-2-3-1): Berisha; Hysaj, Veseli (Mihaj), Kumbulla, Balliu; Asllani, Abrashi; Asani, Bajrami, Uzuni; Cikalleshi Trajner: Sylvinho