Kombëtarja shqiptare e futbollit luan me Poloninë më 27 mars në Varshavë, për ndeshjen e parë kualifikuese për Europianin 2024. Në prag të këtij dueli, institucioni i futbollit ka prezantuar edhe tre fanellat me dizajn të ri të ekipit.
Shqiponja me dy krerë, që përfaqëson identitetin e një populli, guximin dhe vlerat e tij, është motivi grafik dominues në fanellat e reja të Kombëtares. I fortë dhe i qartë mesazhi në mbështetje të mjedisit. Uniformat janë realizuar nga një material i përbërë 100% me plastikë të riciklueshme, duke konfirmuar kështu filozofinë e gjelbër.
Fanella e parë për ndeshjet në shtëpi është me ngjyrë të kuqe me një jakë polo të zezë dhe mbyllje me tre kopsa. Skajet e mëngëve dhe një shirit vertikal anash janë gjithashtu me ngjyrë të zezë. Në pjesën e përparme dhe te supet fanellat karakterizohen nga një grafikë gjeometrike, brenda së cilës bie në sy dizajni i shqiponjës dykrenore. Në pjesën e poshtme të fanellës ka një shirit të brendshëm të personalizuar me mbishkrimin e përsëritur “Ti Shqipëri, më jep nder”, një fjali e kthyer në moton e Shqipërisë e marrë nga poezia e Naim Frashërit. Uniforma e parë plotësohet nga pantallona të shkurtra të zeza dhe çorape të zeza me një vijë të kuqe e të hollë në skajin e sipërm.
Gjithashtu me të njëjtin dizajn por me ngjyrë të bardhë dhe të zezë janë uniforma e dytë dhe e tretë.