Interi ndodhet aktualisht në vendin e dytë të ligës italiane, por distanca nga Napoli është tepër e madhe. Zikaltërit kanë humbur disa pikë tepër të rëndësishme gjatë këtij sezonit, hapa të gabuar me ekipet më të dobëta se ata.

Nesër është dita vendimtare për të kuptuar nëse Interi do të vazhdojë rrugëtimin e tij në Champions League apo jo. Zikaltërit fituan sfidën e parë ndaj Portos në San Siro me rezultatin minimal 1-0, por të martën mbrëma do të jetë diçka krejt ndryshe pasi skuadra portugeze do të luajë në fushën e saj dhe aty ata janë më të fortë. Kështu, pëveç faktit se do të mësohet se cili ekip do të vazhdojë më tej, do të vendoset edhe kapaku për Inzaghin, për të ardhmen e tij.

Pankina e Simone Inzaghit, sipas klubit, është solide të paktën deri në fund të seëzonit, por tifozët e Interit duket se kanë vendosur mos ta duan më teknikun italian në stol. Tifozët zikaltër ëndërrojnë të rikthehet në stol Antonio Conte, i cili do të dëshironte të rikthehej në Itali dhe me të cilin ditët e fundit kanë pasur disa kontakte joformale.

Tifozët e Interit kanë pushtuar rrjetet sociale me hashtage dhe me komente në profilin e Contes, me shkrimin “Antonio kthehu” ose “Conte për në pankinë”.

Antonio Conte aktualisht drejton skuadrën e Tottenham, por gjithashtu edhe e ardhmja e tij te klubi anglez është në pikëpyetje, sidomos pas eliminimit nga Champions League.