Kombëtarja shqiptare U-17 e mbylli me barazimin 1-1 ndeshjen e tretë dhe të fundit në fazën ‘Elite Round’ kundër moshatarëve të Letonisë në stadiumin ‘Air Albania’, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023. Me dy pikë pas tre ndeshjeve dhe asnjë fitore, kuqezinjtë e Ervin Bulkut e mbyllin këtë fazë në vendin e tretë që nuk të dërgon në fazën e radhës, duke lënë pas vetes vetëm Letoninë me një pikë.

Ndeshja e zhvilluar në kryeqytet ishte e kontrolluar nga tanët, teksa në minutën e 27-të trajneri Bulku u detyrua të nxirrjte nga loja Bakiun për Bastarin, për shkak të një dëmtimi.

Goli i parë i ndeshjes u shënua nga kuqezinjtë e vegjël, me Dejvi Duron (Dinamo U-17) që mori ‘zvarrë’ mbrojtjen mike dhe e dërgoi sferën në rrjetë pasi kaloi edhe portierin. Në të 80 minutë miqtë barazuan me Ivulans, për të ndarë pikët në raundin e tretë dhe të fundit.

Në këtë grup, Franca U-17 e mbylli e para me nëntë pikë, Zvicra e dyta me katër pikë dhe kuqezinjtë me dy pikë për vendin e tretë. Letonia me një pikë mban vendin e fundit.

Pavarësisht renditjes dhe rezultateve, vlen të nënvizohet se Shqipëria U-17 ka bërë një paraqitje dhe një rrugëtim mjaft dinjitoz drejt finaleve të Kampionatit Europian ‘Hungari 2023’, që në ndeshjet e raundit të parë, ku fituan ndaj një rivali si Suedia e duke barazuar me Uellsin, te ndeshjet e raundit të dytë, ku arritën dy barazime me Zvicrën e Letoninë, duke u renditur në 23 skuadrat më të mira për këtë grupmoshë.

Trajneri Bulku e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Amarildo Dervishi (GK), Adi Kurti (c), Alion Damini, Glenis Belloj, Flavio Sulejmani, Klaus Kashari, Ergi Bastari, Kleo Shpuza, Kledi Marinaj, Dejvi Duro, Davide Avdullari.