Gjendja e Papa Françeskut po përmirësohet pas shtrimit të tij në spital me një infeksion në rrugët e frymëmarrjes. Zëdhënësi i Vatikanit Matteo Bruni tha në një deklaratë të enjten se Ati i Shenjtë ka rifilluar punën ndërsa vazhdon të trajtohet.
“Shenjtëria e tij Papa Françesku kaloi një natë të qetë. Gjendja e tij klinike po përmirësohet gradualisht dhe ai po vazhdon trajtimin e planifikuar,” thuhet në deklaratë.
“Sot pasi hëngri mëngjes, ai lexoi gazetat dhe rifilloi punën,” thuhet më tej në deklaratë. Zëdhënësi Bruni nuk tha se kur Papa Françesku mund të dilte nga spitali “Gemelli” i Romës. Vatikani tha të mërkurën se ai pritej të qëndronte atje “disa ditë”.
Papa u dërgua papritur në spital pasi u ankua për vështirësi në frymëmarrje, gjë që ngjalli shqetësime të reja për shëndetin e Papës 86-vjeçar, i cili vuan nga një sërë sëmundjesh. Agjencia italiane e lajmeve ANSA njoftoi më herët se personeli shëndetësor ishte “shumë optimist” se Papa mund të dilte nga spitali në kohë për festimet e së Dielës së Palmave më 2 Prill — fillimi javës së festimeve të Pashkëve katolike më 9 prill. Nuk është e qartë nëse Papa do të jetë në gjendje të marrë pjesë në shërbimet e ndryshme, edhe nëse del nga spitali gjatë fundjavës.