Gjatë një takimi me strukturat e Partisë Socialiste në Kuçovë, ministri i Brendshëm dhe njëherazi drejtuesi politik i socialistëve në qarkun Berat, Bledi Çuçi, foli edhe për një raportim në media sipas së cilit kryebashkiaku aktual i Kuçovës dhe kandidati i PS-së në zgjedhjet e 14 majit, Kreshnik Hajdari, figuronte i dënuar në Greqi për kalim të paligjshëm të kufirit.
“Kundërshtarët tanë janë për të ardhur keq, janë akoma në nivelin e viteve ’90. Ai gjest i djeshëm që ata tentuan të bëjnë pis kryetarin tonë të bashkisë, është për t’u përçmuar nga e gjithë shoqëria”, deklaroi Çuçi.
Ai solli në vëmendje ngjarjen e vërtetë të konfirmuar edhe nga vetë kandidati Kreshnik Hajdari në reagimin e tij një ditë më parë, ku në vitin 1999 atëherë 17 vjeç ai mori rrugën për Greqi për të punuar, por u kthye mbrapsht në kufi.
“Kjo na bën që të refuzoni më shumë alternativën e tyre. Me votën plebishitare të Kuçovës t’i japim fitoren Partisë Socialiste. Të gjithë ne duhet ta dënojmë me forcë këtë gjest. Fitorja e PS në Kuçovë është e sigurt”, deklaroi Çuçi.