Nga Ylli Pata/
Enkelejd Alibeaj ka të drejtë në arsyetimin e tij kur thotë që në 32 vjet me këtë sistem, asnjëherë nuk ka ndodhur që të mos regjistrohet një subjekt politik në zgjedhje. Prej vitit 1991, në turet periodike zgjedhore; vendore apo parlamentare, të përgjithshme apo të pjesshme, kanë konkuruar një numër shumë i madh partish të mëdha, të mesme, të vogla, apo shumë të vogla, por asnjërës nuk ju është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje, edhe pse ndonjëra nuk ka marrë as votën e kryetarit.
Po të listosh radhën e gjatë të partive me plot ngjyra e emra nga më të çuditshmet në këto 32 vitë, nuk dalin dot faqet e një gazete. Një komision zgjedhor, vërtetë shikon procdurat ligjore, por ai nuk është polici ndaluese, por një arbitër që krijon mundësi e hapësira për këdo që të kandidojë në zgjedhje. Ndalimi i kandidimit për justifikime procduriale, jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe për grupimin politik të Arlind Qorit, është një precedent i rëndë, që kthen mbapsht standardet demokratike të një institucioni që është gjithëpërfshirës e jo pengues.
Megjithatë, nga vendimi i Celibashit sot, vetëm nga komentet e përkrahësve mediatikë të Sali Berishës dhe Ilir Metës, kuptohet qëllimi i marrjes së këtij absurditeti juridik. Sapo u bë i ditur vendimi, rrjeti shpërtheu në “eureka” të foltoristëve që po hapin me shpejtësi fabulën se PD nuk do të regjistrohet ngaqë nuk ka mbështetje elektorale.
Po cilat janë pasojat juridike të vendimit të Ilirjan Celibashit? Juridikisht është “nul” dhe ngjan thuajse dy pika uji me dekretin e Ilir Metës për të anuluar zgjdhjet vendore të 30 qershorit 2019. Ky vendim është praktikisht nul, e sipas të gjitha gjasave do të hidhet poshtë nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve i KQZ-së, i cili është kolegjial e jo personal.
Megjithatë, efekti politik i tij është destabilizues, njëjtë siç qe dekreti i Ilir Metës në 2019, ku u synua hedhja në erë e sistemit politik në vend. Edhe në këtë rast, mos regjistrimi i partisë kryesore të opozitës, për interes politik të foltores, krijon një situatë kaosi brenda mbështetësve dhe strukturave të opozitës në bazë. Si foltorja e Berishës, ashtu edhe PL-ja e Ilir Metës, aktualisht janë më shumë superstruktura që veprojnë nga qendrat dhe shtëpitë e rëndësishme mediatike dhe makinerisë së propogandës. Asnjëra nuk ka struktura kapilare në bazë. PL, si pasojë e shkërmoqjes së LSI-së në territor, dhe foltorja, si pasojë e luftës që i hapi Partisë Demokratike për ta marrë kontrollin në mënyrë diversive. Por ka edhe një gjë, kjo situatëështë një shans për PD-në Enkelejd Alibeajt, që të lërë lojën krejt pa bukë të bashkimit që nuk ndodh, e të mobilizojë reagimin si trupë politike të PD-së, kryesisht në bazë, për të kontestuar një bombë atomike që Ilirjan Celibashi ka aktivizuar dhe po tenton të hedhë në sistemin politik shqiptar.
Precdenti kaq i lehtë i përjashtimit të një partie politike nga pjesëmarrja, edhe pse e pranon vetë se është e ligjshme është një atentat, një puç ndaj një institucioni bazik demokratik. E me ç’motivacion? Kërkon një letër nga Basha, kur ky i fundit thotë unë dorëheqjen e kam kompletuar me të gjitha dokumentet. Kur është e ligjshme për gjykatën, përse nuk është për Celibashin? I cili thotë nga ana tjetër se për atë është Berisha kryetar, por e ka opinion. Nëse e ka opinion, atëherë ai nuk mund të jetë krykomisioner i KQZ,-së ngaqë është palë. Xhanëm këtu isht kleçka e votimit nga PD-ja të tij tre vjet më parë. E këtë kokërr ulliri e hëngri edhe Basha, edhe Alibeaj e Bardhi, që e mbajnë veten jurist të zotë…