Myrto Uzuni është i pandalshëm këtë sezon. Sulmuesi i Kombëtares i ka dhënë tri pikë spanjollëve të Granadas, teksa ka shënuar golin numër 18-të në La Liga 2 të Spanjës. Granada e tij fitoi 1-3 në transfertë me Burgos, duel që vlente për javën e 30 në kampionat.

Vendasit kaluan të parët në avantazh me Gaspar në minutën e tetë, teksa në të 69 Molina barazoi për Granadan. Do duhej minuta e 84 kur Myrto Uzuni do shënonte golin e përmbysjes, kjo pas asistit të veteranit Molina. Një aksion nga e djathta bëri që beratasi të vepronte bukur në zonë dhe me një prekje e dërgoi sferën pas krahëve të portierit. Në minutën e 90+8 sërish Molina dërgoi shifrat në 1-3.

Me këtë fitore Granada ngjitet në vendin e tretë me 54 pikë, duke qenë vetëm tre pikë larg kryesuesve të Las Palmas. Myrto Uzuni me 18 gola kryeson listën e golashënuesve në La Liga 2, duke qenë futbollisti shqiptar më në formë për momentin.