Nga Rudina Xhunga

Shkodra është ngacmimi im për rubrikën e sotme në Tregimin e Ditës, në kanalin Youtube. Shkak se aty po luhet një fushate, a thua se duan të përzënë gjermanin e fundit. Dhe ngjan se Bardh Spahia është gjermani i fundit. Ai përfaqëson Berishën, që sipas simpatizantëve në qytet, është PD-ja e vërtetë.
Është një personazh që po luan, sikur fitoren e ka të sigurt. Pala tjetër, Partia Socialiste, ka zgjedhur të përfaqësohet nga Benet Beci, që mund të jetë personazhi i duhur, për betejën elektorale, ish-burokrat, ish-nëpunës, që di të bëjë punë dhe para, ca i mban, ca i ndan. Njerëz si ai, edhe, edhe, kurrë, as, as, dinë të organizohen, të ngrenë stafet, të paguajnë këshilltarët dhe lobuesit e duhur. Nuk ka asgjë të keqe që Benet Beci të fitojë Shkodrën në emër të Partisë Socialiste. Edhe pse unë nuk mendoj që ai u thotë shkodranëve; “Unë jam socialist, apo i majtë. Me siguri ai thotë që është i djathtë, vjen nga një familje e djathtë që flet e mbron dialektin. Vetëm të mos flasë për çekun e bardhë se na kujton kohë të këqija. Po tha prapë kam për të sjellë 50 milionë euro na kujton kohë të errëta të cilat nuk u bënë kurrë të arta.

Unë kam qenë shpesh në Shkodër, në momente të bukua dhe të vështira për qytetin. Jam gëzuar kur u bë pedonalja e Shkodrës dhe e quaj meritë të Jozefina Topallit, një grua të fortë Shkodre, që e rregulloi qytetin, si diti. Ditë të mira ishin ato kohë kur Jozefina Topalli drejtonte Kuvendin dhe e kishte një sy nga qyteti i vet. Edhe njerëz të tjerë kanë ndikuar që diçka të lëvizë në atë qytet, që meriton më shumë se kaq. Është qyteti i haresë dhe mendimit, i arsimit dhe dijes, i oborreve të fisnikërisë dhe luleborës. Shkodra është dashni dhe i ke thënë të gjitha. Meriton shumë më shumë se vulgaritetin e Voltanes, e do dhe edhe atë urën mbi Bunë, do më shumë njerëz që dinë t’i drejtohen, një prej qyteteve më hijerëndë, më të fisme të Shqipërisë, një zonjë e rëndë.

Por Benet Beci po i drejtohet në mënyrë banale. Kush e këshillon atë, nuk e di si i shkon ndërmend, që shkodranët janë mendjelehtë! Hapeni mendjen, zbrisni nga piedestalet e rreme, mos i trajtoni votuesit për budallenj. Dhe kë, shkodranët! Do i gënjeni shkodranët me çekun e bardhë! Mund dhe të flasësh me zemër në dorë, duke kërkuar votën, duke premtuar, por duke u thënë edhe të vërtetën që: “Shkodra është bast i kryeministrit Edi Rama. Në rast se Rama e merr edhe Shkodrën diçka do të ndryshojë, shumëçka mund të ndryshojë. Mbase Rama do bëjë me të njëjtën dashuri, për qytetin e gjyshes, atë që bëri për qytetin e fëmijërisë.

Dhe Shkodra do jetë Vlora e radhës. Sepse Shkodra është basti i Rames, jo i Benet Becit. Sa ç’qe Vlora, bast i Lelit, aq është i Becit. Mbase nëse ai do të fliste në këtë gjuhë mbase do të ishte më i besueshëm. Shumë më shumë sesa duke paguar analiza dhe sondazhe.
Pastaj, Bardh Spahia e ka marrë më lehtë. Mendon që e ka Shkodrën për vete dhe nuk ka pse ta blejë. Mos e marrë kaq të mirëqenë se duhet të kuptojë që fushata e kundërshtarit po bëhet e tillë që pavarësisht se i jep dorën dhe thotë: “I djathtë jam si ti”, ka ndërmend ta përzërë, “si gjermanin e fundit.”