Aplikacioni Tiktok ka mbërthyer pas vetes me miliona përdorues nga e gjithë bota që e kanë instaluar në telefonat e tyre dha kalojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës në të.
Por të shumta kanë qenë edhe debatet e ngritura për sigurinë e të dhënave që ruhen në Tiktok apo për përmbajtjen e papërshtatshme për moshat e vogla. Debate të cilat konsistojnë në ndalimin e përdorimit të këtij aplikacioni për shkak të shqetësimit se krahas argëtimit ka qëllime në mbledhjen e të dhënave personale nga kompania kineze. Amerika është një ndër vendet që ka ndaluar përdorimin e Tiktok nga administrata.
Ndërkohë një propozim i tillë është bërë edhe në vendin tonë nga deputeti i PS, Taulant Balla, në komisionin parlamentar të integrimit, duke i konsideruar të dhënat e mbledhura nga aplikacioni si një rrezik.
Por si e shohin këtë çështje ekspertët e IT?
“Problematikat janë të njëjtat siç i ka Facebook, Instagram, Twitter dhe të gjitha social network e tjera, kështu që nuk është çështje sigurie është çështje fakti që mbrapa kësaj kompanie 75% të aksioneve janë të një kompanie kineze. e gjithë sfida tani po bëhet që kjo kompani të shitet në Amerikë. ideja është që në momentin që shteti kinez do të dojë të influencojë ligje të ndryshme për Bashkimin Europian por qoftë edhe për shtetin amerikan, ka një mjet të fuqishëm që mund të influencojë qoftë edhe banorët e shtetit që flasim ose edhe punonjësit me anë të kontentit dhe algoritmit që ka në dispozicion“- shprehet eksperti Tomi Kallanxhi.
Edhe në Shqipëri numri i përdoruesve të Tiktok është shumë i lartë. Sa i përket administratës publike, eksperti sugjeron që në telefonat e punonjësve të mos ketë të instaluar asnjë rrjet social.
“Për çështje privatësie për opinionin tim administrata publike nuk duhet të përdorë asnjë rrjet social në telefonat e tyre të punës. pastaj lind pyetja tjetër a përdorin punonjësit e administratës publike telefonat e punës apo i kanë personal? Nëse ata i kanë personal administrata publike nuk mund të ndërhyjë ne telefonat e tyre personal, nëse ata i kanë telefona të punës atëherë aty mund të ndërhyjë, mund ti kontrollojë mund ti bllokojë dhe për opinionin tim duhet të bllokojë çdo gjë që është në lidhje me social media dhe me impaktin që ka social media në administratën publike duhet bllokuar që nga ky moment, jo vetëm Tiktok“- shtpm esksperti.
Krahas SHBA vendet e tjerat që kanë ndaluar përdorimin e Tiktok në pajisjet qeveritare janë Kanadaja,Belgjika, Mbretëria e Bashkuar dhe Zelanda e Re.