Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, e ka akuzuar sërish Sali Berishën se ky i fundit, kërkon të marrë peng forcën e djathtë politike, për interesa personale. Këtë, ai e veçoi gjatë një takimi elektoral në Fushë-Krujë, ku ka kërkuar edhe votën në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Sipas Alibeaj, kjo është një kohë e vështirë për partinë që ai drejton, pasi ajo jo vetëm është nën agresion nga pushteti, por edhe brenda strukturave (duke iu referuar Berishës). Tre qëllime, i ka ish-kreu i PD-së, në kërkim për të rimarrë juridikisht drejtimin e partisë, në fjalët e Alibeajt: Ta përdorë për t’u mbrojtur ndaj masave të SHBA, të krijojë një opozitë me vetëm atë vetë figurë opozitare, si edhe të asgjësojë përfundimisht PD-në pas zgjedhjeve dhe të krijojë një lëvizje anti-amerikane në Shqipëri.

“Njëri ka kërkuar ta shpopullojë Shqipërinë dhe kjo është plaga më e madhe në fakt që Shqipëria, por dhe kjo bashki, është pikërisht shpopullimi, largimin, dëbimi I shqiptarëve nga vendi I tyre. Tjetri ka 30 e kusur vite që vjedh, e vjedh dhe do ta vjedh akoma. Dhe tjetri është ai që do ta zbraz Partinë Demokratike për të mbushur partinë e vet”.

Kështu i është referuar ai tre aktorëve kryesorë politikë në Shqipëri, kryeministrit Edi Rama, kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta si edhe vetë Berishës. Pavarësisht kësaj, ai ka treguar se “shpirti i demokratëve do të jetojë” dhe se kjo forcë politike do të mbetet e fortë edhe pas 14 majit. Të gjitha, përkundër faktit se PD-ja nuk garon në të gjitha bashkitë për kryetar, po as edhe në të gjithë territorin e vendit për postet e këshilltarëve bashkiakë.