Armando Broja është dëshira e Sportingut të Lisbonës. Janë mediet portugeze që tregojnë se presidenti i bardhjeshilëve ka udhëtuar për në Londër, teksa kërkon një marrëveshje për të marrë shqiptarin sezonin e ri në Portugali.

“Bola Ne Rede” shkruan se presidenti i Sportingut, Federico Varandas, ka udhëtuar drejt Londrës për të takuar drejtuesit e Chelsea, pikërisht për të diskutuar për mundësinë e transferimit të Brojës. Sulmuesi i Kombëtares prej muajsh vuan një dëmtim të rëndë në gju, çka bëri që të mbyllte këtë sezon.

Me rikthimin në palestër Brojës duket se i kanë ardhur mundësi të tjera transferimi. Me kontratë deri në 2028, Broja është ndër talentet më premtuese te londinezët, që këtë sezon kanë bërë një paraqitje zhgënjyese, duke qenë në mesin e tabelës në Premier League. Një huazim i Brojës në Portugali nuk do ishte i pamundur, me shqiptarin që kërkon minuta pas dëmtimit.