Në mesnatë, në Sudan ka hyrë në fuqi një armëpushim 72 orësh. Kjo është hera e tretë që palët arrijnë marrëveshje për ndërprerjen e luftimeve që kur shpërtheu dhuna më herët gjatë këtij muaji, por marrëveshjet e mëhershme të armëpushimit janë shkelur.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se është arritur një marrëveshje midis ushtrisë dhe grupit paramilitar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, pas 48 orësh negociata.
Të paktën 400 persona janë vrarë që kur nisën luftimet më 15 prill.
Të dyja palët e përfshira në konflikt kanë njoftuar ndarazi për marrëveshjen e armëpushimit.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se dhuna në Sudan rrezikon të shkaktojë një “zjarr shkatërrues” që do të mund të përfshinte të gjithë rajonin dhe më gjerë.
Që kur ka nisur dhuna, banorët e kryeqytetit sudanez, Kartum, janë udhëzuar që të qëndrojnë në shtëpi, teksa ushqimet dhe furnizimet e tjera janë pakësuar.
Bombardimet kanë goditur infrastrukturën kyçe, sikurse tubacionet e ujit, që nënkupton se disa persona janë detyruar që të përdorin ujin e lumit Nil për pije.
Pas njoftimit për armëpushim është rritur shpresa se civilët do të mund të largohen nga kryeqyteti.
Qeveritë e huaja po ashtu shpresojnë se armëpushimi do të mundësojë vazhdimin e evakuimeve të shtetasve të tyre nga Sudani. Shtetet e huaja nxituan që të evakuonin diplomatët dhe civilët në kohën kur luftimet në kryeqytet u intensifikuan.
Më herët gjatë 24 prillit, Blinken tha se disa autokolona po tentonin të largonin njerëz, por u përballën me grupe që po “grabisnin dhe plaçkitnin”.