Ligji që rikthen bastet sportive, kësaj here vetëm “online” është gati. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hedhur për Konsultim Publik projektligjin “Për Lojërat e Fatit” në të cilin përcaktohen kushtet dhe mënyrat për vënien e basteve.
Ndryshe nga sa ndodhte deri në vitin 2018 ku shqiptarët mund të vinin baste fizikisht në mbi 4 mijë 200 pika, me ligjin e ri licenca do t’u jepet vetëm disa operatorëve.
Për t’u licencuar ata duhet ta regjistrojnë aktivitetin fillimisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit me një kapital jo më pak se 20 milionë lekë, duke përmbushur kushtin e të pasurit eksperiencë së paku tri vite në tre vende europiane. Dokumentacioni duhet të përmbajë origjinën e kapitalit që investohet, dëshminë e penalitetit të sipërmarrësit dhe numri punonjësve.
Këta operatorë të licencuar do të kenë të drejtën për të t’u ofruar qytetarëve aplikacionin apo platformën nga ku mund të vihen baste. Ata mund të vendosin shuma ende të papërcaktuara parash nga telefoni, tableti apo faqet zyrtare të internetit dhe aplikacionet e programet që do të licencohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
Relacioni i projektligjin nuk përmban specifikime për sa i përket tatimit të fitimeve të atyre që luajnë, por përcakton detyrimet për subjektet që ofrojnë bastet sportive online.
Atyre do tu mbahet çdo vit 15 për qind e të ardhurave të cilat parashikohet të shkojnë për financimin e projekteve ne fushën e sportit, kulturës, inovacionit.
Pas fazës së Konsultimit Publik, projektligji do të kalojë për shqyrtim në komisionet parlamentare. Nëse nga aty merr miratimin, do të kalojë për miratim në parlament.
Bastet Sportive u shpallën të paligjshme prej 1 janarit 2019, por siç edhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë pranon, fenomeni nuk ndaloi. Në katër vite u gjetën 4035 adresa bastesh, ndërsa u proceduan penalisht 135 persona.