Qeveria shqiptare është në pritje të vendimit të Gjykatës Europiane për të vendosur miratimin ose jo të ligjit për “Pasaportat e arta”. Lajmin e bëri të ditur kreu i grupit Parlamentar të PS Taulant Balla gjatë mbledhjes së komisionit të Integrimit. Ai tha se “pasaportat e arta” nuk janë një shpikje shqiptare, por një model që është përdorur nga shumë vende të BE-së dhe se ndihmon në thithjen e më tepër investimeve të huaja”.
“Lidhur me çështjen e pasaportave të arta e vërteta është se nuk është një model i shpikur nga Shqipëria, por një model i përdorur nga një sërë vendesh anëtare të BE-së. Edhe pse nuk jemi ende vend anëtar i BE, angazhimi i Shqipërisë është për t’u qëndruar strikt vendimeve të Gjykatës Europiane. Pasi të shprehet Gjykata Europiane, kemi të drejtën tonë ta aplikojmë, si një formë që ka rezultuar e suksesshme në shumë vende për të thithur investime të huaja”- tha Balla. Kryenegociatorja për integrimin në BE, Majlinda Dhuka u shpreh se Gjykata Evropiane do të shprehet për të gjitha vendet të cilat kanë kërkuar ta aplikojnë këtë vendim. Ndërsa shtoi se Shqipëria do të presë vendimin që do të jepet.
“Ka disa raste, jo vetëm një rast, por është gjykata europiane që do të shprehet. Gjykata do shprehet për të gjitha vendet. Shqipëria do të presë këtë vendim”- u shpreh Dhuka. Gjatë fjalës së tij Balla iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për projektin e Portit të Durrësit, duke thënë se pas 14 majit nuk do të ekzistonte më ky debat pasi qytetarët do të përgjigjeshin me votë.
“E dëgjoj shpesh: BE është kundër investimit në Portin e Durrësit. Sulmi kundër investimit në Portin e Durrësit ka një sfond politik e elektoral. Pas 14 majit nuk do të ekzistojë më ky debat, sepse do të jetë populli i Durrësit që do të japë përgjigjen e duhur. Do të kërkoja që kjo çështje të mos jetë më as pjesë e diskutimeve të Komisionit”- u shpreh Balla. Balla i bëri thirrje opozitës që këtë çështje të mos e bëjë present në këtë komision, pasi kjo çështje nuk është është pjesë as e monitorimit të zbatimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, as pjesë e raportimit të Shqipërisë.
“Edhe në shkresën që Komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi i është përgjigjur kryetarit të grupit të Partisë Demokratike, e ka thënë shumë qartë se kjo nuk është çështje që është pjesë as e monitorimit të zbatimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit as pjesë e raportimit të Shqipërisë. Shqipëria është vend Sovran, kemi marrë një vendim dhe duam të çojmë para një projekt që do t çojë Shqipërinë, Portin e Durrësit në hartën e turizmit botëror”- shtoi kryetari i grupit parlamentar të PS.