Kandidati i çiftit Berisha-Meta për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka pranuar sot se nuk ka një diplomë të shkollës së mesme. Në një intervistë për median, ai konfirmoi se në Shqipëri ka kryer vetëm 4 vite gjimnaz te Instituti “Harry Fultz”, ndërkohë që dega e tij në këtë shkollë profesionale ka qenë cikël 5-vjeçar.

“Nuk kam pasur diplomë. Nuk kam si të isha pajisur”, është shprehur Këlliçi, kur u pyet se a janë të vërteta faktet që kanë dalë në media.

Në një investigim të publikuar në media, faktohej se Belind Këlliçi ka mashtruar universitetin “Coppin University” në Maryland, SHBA, dhe më pas edhe shtetin shqiptar, duke u regjistruar në shkollën amerikane, (dhe duke bërë njësimin më pas të diplomës) pa pasur një diplomë të shkollës së mesme.

Këlliçi ka deklaruar shpesh se vëllai i tij ka qenë dhe është mbështetësi i tij më i madh në jetë, e çuditërisht në vitin 2005, kur Këlliçi u regjistrua në universitet, ai punonte në zyrën e pranimeve të studentëve të universitetit amerikan.

Ka dyshime të forta se ka qenë pikërisht vëllai i tij, i cili nëpërmjet ndërhyrjes personale, e ka ndihmuar të regjistrohet lehtësisht në këtë universitet, pa e pasur diplomën e shkollës së mesme. Këlliçi ka rrëfyer se vëllai i tij është edhe financuesi kryesor i fushatës me sponsorizime prej mijëra eurosh në Facebook.

Duhet theksuar se vëllai i Këlliçit aktualisht është edhe Anëtar Bordi i Institutit “Harry Fultz” dhe një skandal i përmasave të tilla hedh dyshime serioze mbi menaxhimin e institucionit në fjalë, raporton portali Shqiptarja.