Eksperienca e gjatë në monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri i ka dhënë mundësinë Audrey Glover të njohë mirë terrenin politik. Në mesazhin e saj të parë si kryevëzhgueseve, ambasadorja britanike beri të qartë rolin e saj në këtë rikthim të ri.
“Ajo që është e rëndësishme të kuptohet është që roli ynë është që të vëzhgojmë zgjedhjet dhe të raportojmë. Ne nuk ndërhyjmë në zgjedhje, nuk jemi as policia e zgjedhjeve, as mbikëqyrësit e zgjedhësve e as politikanë. Ne jemi profesionist të zgjedhjeve, nuk na intereson rezultati i zgjedhjeve, ne duam vetëm që procesi të jetë transparent”-tha Glover.
Që procesi të jetë transparent shefja e misionit të ODIHR pret që të gjitha palët të respektojnë rregullat e lojës. Syri i misionit ka nisur tashmë vëzhgimin. Fillimisht tek partia në pushtet, që ka gati rritjen e pagave.
“Kuptohet që ne jemi duke i parë me shume kujdes këto zhvillime. Do na duhet pak kohe nëse përbejnë shkelje dhe ne çfarë mase përbejnë shkelje. Është e rëndësishme që zgjedhjet nuk janë një ditë e vetme. Ajo se çfarë ndodh përpara dhe pas zgjedhjeve është e rëndësishme po aq e rëndësishme sa vetë dita e zgjedhjeve. Zbatimi i ligjit është i rëndësishëm sa ligji vetë dhe zbatimi varet nga vullneti për ta zbatuar atë“- u shpreh Glover.
Audrey Glover përdori gjuhë diplomatike edhe kur u pyet për një takim të mundshëm me Sali Berishën, i cili dikur e quante armike.
“Ne me shumë kënaqësi kemi ndërmend të takohemi me cilin do që është i përfshirë në këtë proces zgjedhor“- tha Glover. Të shkuarën mesa duket e ka hedhur pas edhe Sali Berisha.
“Nuk ka as dashuri as armiqësi të përjetshme. Ato që kam pasur për zgjedhjet e 96 kalojnë tani, i afrohen 30 viteve, 28 viteve. Ajo çfarë mund të them unë se Glover në zgjedhjet e fundit ka bërë një raport shumë profesional dhe unë e kam vlerësuar raportin e saj, Raporti i saj, nqs. raporti i zonjës Glover do të merrej me seriozitetin me të madh nga qeveria dhe komiteti ndërkombëtar, Shqipëria nuk do ishte kurrë në këtë gjendje. Raporti i saj u injorua nga opozita, e cila do ta kishte atë raport bazë kryesore për të gjithë transformimin e kuadrit ligjor. Ai raport shpërfill në mënyrë të tmerrshme nga qeveria, eksponentë të caktuar të komunitetit ndërkombëtar. Ju ftoj ta lexoni raportin, është më profesionali që mund të jetë shkruar ndonjëherë për procesin që është aq kombëtar, aq edhe ndërkombëtar”– tha Berisha.