Armiqësia në Tik Tok mes Cllevio Serbianos dhe reperit Rigels Rajku (Noizy) është shndërruar nga një show për audiencën besnike që i ndjek në rrjete sociale duke përfunduar me një ndalim nga policia të Kleviol Ahmetit në aeroportin e Rinasit. Pas kërcënimeve me jetë, përndjekjeve dhe videove me fjalor banal kushtuar këngëtarit, Noizy e ka kallëzuar në polici Ahmetin, madje sipas dokumentit të siguruar nga gazetarja e Report Tv, Keti Banushi reperi është shprehur se i ka shkaktuar frikë e ankth nga kërcënimet e bëra nga ky i fundit në Tik Tok.
Kjo ‘luftë’ mes dy personazheve mjaft të njohur në rrjete sociale vijon prej kohësh. Personazhi i njohur në Tik Tok Kleviol Ahmeti, ka publikuar video të shpeshta kushtuar reperit ku përpos se e fyen dhe e ofendon me fjalor banal, e kërcënon me jetë madje edhe shpesh i ka thënë se do e shkatërrojë.
Si nisi armiqësia e ‘gangos’ së Tik Tokut dhe reperit:
‘Lufta’ mes Cllevio Serbianos dhe Noizyt ka nisur fillimisht si rivalitet i këngëtarësh të muzikës rrep. Në këtë rrymë muzikore, shpesh të rinjtë krijojnë përplasje mes njëri-tjetrit për të marrë më shumë vëmendje dhe për të treguar forcën me anë të teksteve dhe rimave. Estrada shqiptare ka njohur kryesisht përballjen e Noizyt (Rigles Rajkut) dhe Stresit (Arkimed Lushaj), të cilët shumë vite më parë kishin krijuar një përballje mes njëri-tjetrit duke i ndarë edhe fansat në dy kampe, por që sot e kanë lënë pas të shkuarën dhe janë miq. Kjo përballje u bë trend. Çdo reper i ri krijonte edhe një rival për të qenë edhe më aktiv me muzikën që bënte dhe me famën që merrte. E tillë nisi edhe përballja mes Noizyt dhe Cllevio Serbianos, i cili është mik i ngushtë me Stresin prej 20 vitesh. Kjo përballje e dy të rinjve vijoi me përplasje në rrjete sociale ku secili prej tyre tregon forcën me sharje, fyerje e ironi për njëri-tjetrin.
Noizy e ka bërë përgjegjës 36-vjeçarin edhe për tritolin e vënë në lokalin e tij në Durrës në qershor të 2022, ku është shprehur se i vetmi që ka konflikte është Kleviol Ahmeti.
Kjo ‘luftë’ mes dy të rinjve vijoi e ashpër edhe në rrjete sociale, ku secili prej tyre tregonte forcën me sharje, fyerje e ironi për njëri-tjetrin. Një muaj më pas, ata kanë pasur edhe një sherr fizik në lokalin e Rigels Rajkut, çka u pasua edhe me një arrestim të Kleviol Ahmetit në korrik të 2022. Por, pasi la qelinë dhe iu caktua masa “Arrest shtëpie”, Ahmeti rifilloi atë që kishte lënë pezull jashtë, duke vijuar kërcënimet dhe sharjet në rrjete sociale ndaj Noizyt.
36-vjeçari nuk është i njohur vetëm për këngët. Në vitin 2014, emri i Clevios, u përfshi në historinë e avionit Piper që u rrëzua në Divjakë teksa transportonte drogë dhe armë. Bashkë me pilotin Italian Giorgio Riformato dhe disa shqiptarë të tjerë, Cllevio u hetua dhe u dënua me 10 vite burg, por përfitoi ulje me 1/3 e dënimit pasi iu pranua gjykimi i shkurtuar, duke u liruar në vitin 2020