Nga Ben Andoni/
Të dyja PD-të, njëra legale që përfaqësohet nga z. Alibeaj dhe tjetra, që u ngrit nga i ashtuquajturi “Rithemelimi”, e cila drejtohet nga Z. Berisha janë shumë të vogla për përfaqësimin e shqiptarëve. Ashtu si nga ana tjetër, gjithnjë e më i vogël po bëhet përfaqësimi i Partisë Socialiste. Numrat e pjesëmarrjes në votime janë treguesit e këtij argumenti. Në rastin e PD-së, që nga 8 Janari 2022, njerëzit që logjikojnë shikojnë se interesi për PD-në është si aset, sesa si alternativë. Këtë e tregon forca sesi e mbajnë godinën “Berishajt” dhe si janë larg, “Alibeajt“. Dhe, vërtetë, në javët e fundit, në vend të ideve për zgjedhjet lokale, dy PD-të janë marrë ashpërsisht me njëra-tjetrën me një ritual ofendimesh që nuk mbaron. Avantazhin e ka dukshëm PD-ja e Rithemelimit, jo legale deri më tani, sepse ka treguar se ka njerëz por mbi të gjitha se ideologjia e berishizmit është më e fortë se të gjitha idetë që mund ta çojnë përpara demokracinë në vendin tonë. Këtu nuk bën përshtypje as non-grata e Berishës nga SHBA dhe Britania e Madhe. Në thelb pro-Atlantizmi ynë është kinse.
Ndërkohë ideologjia e “Berishizmit” nuk ka krah të qartë e të përcaktuar ideologjik, ngatërron sipas interesit dogmën që do të përfaqësojë dhe merr hua mjetet e ashpra të komunizmit ndaj kundërshtarit dhe këtë e ka kuptuar fare mirë dhe e përfaqëson ideatori i saj, Berisha, një frymëzues par excellence i një grupi bajagi të madh militantësh Blu. Pa pyetur askënd mëtoi të ndryshonte orientimin ideologjik drejt konservatorizmit, diskursi i vet është i mbushur me frazeologji që është gati e gjallë nga komunizmi dhe nuk di të bëjë kurrë Mea Culpa, qoftë edhe për mynxyra që i ka përcjellë vendit.
Ca më keq akoma, mënyrës sesi trajton kundërshtarët e vet me një fjalor, që tashmë përçohet fjalë-për-fjalë nga një shpurë e frikshme besnike (kuptohet se jo larg në kohë do t’ia kthejë krahët) dhe trajtimit të rivalëve si armiq. Vëzhgimi i njërit prej fisnikëve britanikë, Sër Ernest Ben, gati njëqind më parë, duket se shkon me këtë realitet: “Politika është arti i kërkimit të telasheve, gjetjes së tij kudo, diagnostikimit të gabuar dhe aplikimit të mjeteve të gabuara”. E tillë ngjan kjo lojë politike. Ndërkohë është po kaq e sikletshme dhe pjesa e Partisë Demokratike (Legale), që megjithë pritshmëritë, ndihmën e marrë nga shumë anë nuk e kaloi dot kurrë inferioritetin e frikshëm nga Berisha. Duke e trajtuar si faktor, në vend ta injoronin, kjo e fundit do të ishte maturi dhe ndërkohë forcë, ata po tregojnë jo thjesht mungesë kurajë, por edhe faktin që nuk e shohin në thelb të ardhmen e Partisë Demokratike. A duhet të lihej për orët e fundit, zgjidhja e përfaqësimit? A duhet të kishte dilema, siç ndodhën me ta dhe të përfaqësoheshin me më pak se një të katërtën e njerëzve për bashkitë? A duhej t’i dorëzoheshin Berishës, siç po ndodh rëndom? Këtë do na e mësojë 15 Janari, një ditë pas zgjedhjeve lokale, por një gjë kuptohet fare mirë, se Partia Demokratike (Legale dhe jo-Legale) e të dy anëve është rrudhur shumë më tepër dhe është krejt e pafuqishme të përfaqësojë shqiptarët që kërkojnë të identifikohen me një të Djathtë të Qendrës, që u mungon prej kohësh dhe që i njeh e i ndihmon ndërkombëtarisht.
Përfaqësimi i dy PD-ve do të shikohet nga pjesëmarrja dhe rezultati, por fryma e munguar po duket një dhurata e radhës që po u bëhet socialistëve nga politikanë të PD-së, që e mbajnë të shtrënguar partinë si aset fizik dhe jo moral dhe politik, ashtu si po presin me padurim shqiptarët. Më shkurt, PD-ja e dy krahëve është shumë më e vogël sesa pritshmëritë e shqiptarëve.