Radioja Kombëtare Publike (NPR), me seli në Uashington të SHBA-së, ka bërë të ditur se do të largohet nga platforma Twitter shkaku i vendimeve të fundit të marra nga ky rrjet social nën pronësinë e Elon Musk për ta identifikuar mediumin me disa etiketime që mediumi cilëson se kanë qëllim t’ia dëmtojnë besueshmërinë në publik.
“Llogaritë organizative të NPR nuk do të jenë më aktive në Twitter sepse platforma po ndërmerr veprime që minojnë besueshmërinë tonë duke lënë të kuptohet në mënyrë të rreme se ne nuk jemi të pavarur”, tha organizata e lajmeve përmes një deklarate të mërkurën, më 12 prill.
Javën e kaluar, Twitter etiketoi llogarinë kryesore të NPR si “media e lidhur me shtetin”, emërtim që përdoret për t’i identifikuar edhe mediumet që kontrollohen ose ndikohen shumë nga qeveritë autoritare.
Twitter më vonë e ndryshoi etiketën në “media e financuar nga qeveria”, me të cilën e etiketoi të paktën edhe një medium tjetër publik, atë britanik BBC.
“Ne nuk e vendosim gazetarinë tonë në platforma që kanë treguar interes për ta minuar besueshmërinë tonë dhe perceptimin e publikut për pavarësinë tonë editoriale”, thuhet në deklaratën e NPR.
Shefja për komunikim publik e NPR, Isabel Lara, tha në një email se “gazetarët dhe punonjësit e NPR do të vendosin vetë nëse dëshirojnë të qëndrojnë në platformë, njësoj si stacionet anëtare të NPR pasi ato janë nën pronësi të pavarur dhe operohen në mënyrë të pavarur”.
NPR merr fonde nga qeveria e SHBA-së përmes granteve nga agjencitë dhe departamentet federale, së bashku me Korporatën për Transmetim Publik. Kompania ka thënë se kjo përbën më pak se 1 për qind të buxhetit vjetor operativ të NPR