Kombëtarja shqiptare e minifutbollit që drejtohet nga Irtan Sejko ka hyrë në librat e historisë së futbollit shqiptar duke u kualifikuar për herë të parë në finalet e Kupës së Botës që do të zhvillohet në Essen të Gjermanisë në 2-11 qershor të këtij viti.
Shqipëria e minifutbollit arriti rezultate fantastike në Moldavi pasi arritën që të fitonin ndaj Spanjës, Luksemburgut, të barazonin me Rumaninë finaliste, 7 herë kampione Europe si dhe të siguronin gjysmëfinalen. Shqipëria e preu biletën e botërorit duke shpartalluar 4-1 Qipron në një ndeshje me emocione dhe spektakël duke treguar cilësi dhe karakter.
Përveç kualifikimit, Kombëtarja ka marrë me vete dhe çmimin për golin më të bukur të turneut në Moldavi, i cili u realizua nga Gledis Nuza në ndeshjen kundra Spanjës.
Në një intervistë ekskluzive, “Barrikada.net” zbulon arkitektin e kësaj kombëtare, lojtarët dhe njerëzit që qendrojnë mbrapa ekipit.
Intervista e parë fillon me trajnerin Irtan Sejko, njeriun që ka krijuar një ekip me mentalitet spartan. Ajo që zbulojmë nga intervistat është se lojtarët kanë luajtur pavarësisht vështirësive fizike apo lodhjes. Me Sejkon nuk ka pushim, nuk ka ndalesa, por vetëm luftë për të rrëmbyer fitoren.
Trajneri i kombëtares është padyshim njeriu që ka krijuar një grup me mentalitet luftarak, i cili nuk dorëzohet apo demoralizohet përballë vështirësive dhe disavantazheve.
Zoti Irtan, urime për suksesin që ju, djemtë e kombëtares dhe stafi keni arritur në arenën ndërkombëtare të minifutbollit.
Kush është sekreti i kësaj kombëtareje?
Faleminderit shumë për urimet dhe për mbështetjen që kemi gjetur nga të gjithë mediat dhe publiku shqiptar. Ajo që i ka dhënë këtë radhë force dhe sukses kësaj kombëtare është ndërthurja perfekte e eksperiencës, talentit, forcës të të gjithë çunave dhe dëshirës të pashtershme për të përfaqësuar Shqipërinë në mënyrë dinjitoze. E veçanta e këtij grupi dhe e veçanta e kësaj kombëtare është që problemet i kanë lënë në Shqipëri dhe me vete kanë marrë vetëm dëshirën për të shkuar sa më lart me fanellën e kombëtares.
Ju jeni të parët që kualifikoheni në botërorin e minifutbollit, keni parakaluar kombëtaren e futbollit. Çfarë ju dallon nga të tjerët?
Nuk më pëlqen të krahasohem me kombëtaren e madhe sepse ata për ne janë të pakrahasueshëm. Ne jemi një minishëmbëlltyrë e tyre dhe meqë i përmendëm jam besimplotë që do korrin sukses këtë fazë eliminatore për europian.
Nga edicionet e tjera në minifutboll besoj se na dallon eksperienca që kemi fituar ndër vite dhe mbi të gjitha siç e përmenda më sipër, këtë vit kishte një dëshirë të theksuar për të bërë sa më mirë, aq sa më duhet ta them e ta theksoj që në disa prej ndeshjeve një pjesë e çunave kanë sakrifikuar duke luajtur të dëmtuar.
Çfarë i duhet më shumë kësaj kombëtare për të qenë kompetitive në botëror?
Botërori është afër dhe ajo çfarë i duhet kësaj kombëtareje për të qënë kompetitive është plotësimi i grupit me elemente shtesë pasi duam që në botëror të shkojmë me forca të plota përsa i përket numrit të lojtarëve, të cilët do kenë të njëjtat cilësi si pjesa e tjetër grupit ku duhet të dominojë disiplina e dëshira për të shkuar sa më lartë.
Për “Barrikada.net” foli edhe motorri i ekipit, kapiteni Endri Kaca i cili theksoi se forca e kësaj kombëtare është grupi.
1. Endri Kaca pësuat gol, por morët në dorë lojën dhe tashmë jeni drejt botërorit, për herë të parë në minifutboll.
Çfarë menduat kur pësuat golin? Çfarë ndodhi që kombëtarja u gjend në vështirësi?
Sigurisht që ne e kishim përgatitur ndeshjen mirë, por si pasojë e një veprimi individual ata (Qipro) arritën të shënonin. Megjithatë ne e ruajtëm qetësinë edhe arritëm të barazonim në pjesën e parë. Pastaj në pjesën e dytë u futëm me energji të reja edhe arritëm të shënonim 3 gola të tjerë.
A e ndjetë veten të rrezikuar kur pësuat gol?
Në minifutboll ndodh shpesh të pësosh gol, por ne ishim të fokusuar maksimalisht për ta fituar këtë ndeshje, edhe për të arritur objektivin tonë për të siguruar një vend në botëror gjë të cilën e arritëm më shumë punë e sakrifica.
Çfarë i duhet kësaj kombëtare për të qënë mes më të mirëvë në Botëror?
Kjo kombëtare e arriti kualifikimin falë forcës së grupit, që ishte edhe pika jonë më e fortë. Për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze në botëror duhet të ruajme grupin edhe të përforcohemi me 2-3 lojtarë që të jemi të plotë.
Në intervistë ishte dhë një ndër protagonistët e ndeshjes së fituar 4-1 ndaj Qipros, Xhuljan Reci, lojtari që shënoi dopietë.
Kush ishte nxitja juaj për sot?
Nxitja ime për sot ishte vetëm një, e pata shënuar dhe te rituali që bëjmë si ekip kur analizojmë kundërshtarët “Me zemër në Essen” atje ku do organizohet kampionati botëror në Gjermani.
Si e shikoni veten në kampionatin botëror?
Në botëror mendoj që do bëjmë një paraqitje dinjitoze ashtu siç i shkon këtij grupi fantastik që me përulësi kanë sakrifikuar veten për të arritur në botëror.
Ku duhet të punojë më shumë ky ekip për të qënë më i fortë?
Ky ekip e ka armën e fortë “Grupin”, ajo që duhet të përmirësojë është fokusi në detajet më të vogla gjatë ndeshjeve.
Për të kuptuar se çfarë i duhet më tepër kësaj kombëtare nga institucionet dhe punën që është bërë prapa kamerave, ne intervistuam Jurgen Demnerin, Drejtor ekzekutiv i kombëtares së minifutbollit.
Jurgen Demneri, kush është pika më e fortë e kësaj kombëtare?
Pika më e fortë e kësaj kombëtare është grupi dhe dëshira që ata kanë!
Japin maksimumin në çdo moment dhe kanë sakrifikuar jashtë mase shumë për këtë arritje!
Çfarë do donit të kishit më shumë, si nga ekipi por edhe nga institucionet për të ecur më shumë, për të pretenduar më shumë?
Nga ekipi duhet shumë punë për ne kampionatin botëror që të mundohemi të ecim sa më larg!
Sa i përket institucioneve, shpresoj shumë q të gjithë të ndjekin shembullin e Federatës Shqiptare të Futbollit që na përkrah në çdo moment.
E shihni veten si pretendent në Botëror?
Un di të them që në botëror na presin emocione të forta, shumë tifozë dhe ju premtoj që lojtarët do japin 100% e tyre!
Barrikada.al